Drama e gjyqtarit të nazistëve, aktori Myzafer Zifla rrëfen rolin e gjykatësit amerikan në dramën që po shfaqet në Teatrin Kombëtar

13/03/2026 15:37

Dan Haywood është një gjyqtar amerikan që vjen në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore për të drejtuar gjyqin e parë ndërkombëtar me qëllim dënimin e nazistëve të Hitlerit për masakrën ndaj hebrenjve në kampet e përqëndrimit, ku vdiqën në dhomat e gazit rreth 6 milionë njerëz.

Nën interpretimin e Myzafer Ziflës, personazhi vjen si një reflektim mbi pasojat që sjell shkelja e të drejtave të njeriut nga regjimet totalitare dhe përgjegjësitë që bien mbi të gjithë shoqërinë.

“Problemi që ka ky personazh është se duhet të jetë i paanshëm. Duke qenë edhe si amerikan, është i papërlyer me nacionalizmat europiane. Ai duhet të kuptojë çfarë ka ndodhur, pse është kjo luftë me njëri-tjetrin, derisa vjen momenti që merr një vendim. Por, ajo që mbetet thelbësore është mungesa e arrogancës, qetësia dhe paanshmëria”, u shpreh aktori Myzafer Zifla.

“Drejtësi Nuremberg” ka si protagonist Ernst Janning, një ish-ministër drejtësie dhe ish-jurist në regjimin nasist të Hitlerit në Gjermaninë e viteve ‘30, që në emër të ligjit ka marrë jetë njerëzish. Avokati përdor të gjitha argumentet për ta mbrojtur atë dhe dy të pandehurit e tjerë, përfshirë pretendimin se nuk dinin asgjë për hebrenjtë që u torturuan mizorisht dhe u vranë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por çfarë qëndrimi duhet të mbajë gjykata?!

“Avokatët dhe prokurorët e përdorin nervozizmim për të të mbushur mendjen, por një gjyqtar nuk duhet të mbajë anë”, u shpreh aktori.

Vepra e autorit Abby Mann u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar nën regjinë e Arben Kumbaros si një dramë e fortë që i flet aktualitetit si një apel për elitat e shoqërisë që tolerojnë shkeljenj e të drejtave të njeriut deri në vendosjen e regjimeve autoritare.

“Luftërat janë pjesa më antinjerëzore dhe të parat që shkelen janë të drejtat e tyre. Por, ky nuk ka qenë vetëm problem i Luftës së Dytë Botërore, e njëjta gjë ka ndodhur në komunizëm, në Gaza, në Kosovë, në Bosnje, ka ndodhur gjithandej ku janë bërë luftëra në emër të një të drejte. Ashtu sikurse avokati dhe prokurori në emër të së drejtës, mbrojnë vetëm njërën palë. Teprimi i të drejtës është në kufijtë e krimit”, u shpreh Zifla.

Duke theksuar vlerën e çdo jete njerëzore dhe përgjegjësinë kolektive për luftën, protagonisti pranon fajin, duke çjerrë brutalitetin e sistemit.

Unë kam kaluar një pjesë të jetës në komunizëm dhe duke qenë pjesë e sistemit, njerëzit janë të indoktrinuar, kujtojnë se kanë të drejtë. Është e vështirë të pranosh se ke bërë gabim. Dhe Jening pranon fajin sepse shkëputet nga e kaluara. Sepse personazhi tjetër thotë e kam bërë për atdheun”, tha aktori.

Shfaqja që përcjell mesazhe të forta për indiferencën dhe pasojat e veprimeve e mosveprimeve tona fton publikun në Teatrin Kombëtar deri në 15 mars.

Top Channel