Interi mori 3 pikë me shumë peshë në ndeshjen e javës së 26 të Serisë A italiane. Në Via Del Mare, skuadra e Cristian Chivu mposhti Leccen e Ylber Ramadanit me rezultatin 2-0 duke larguar shijen e hidhur që i la transferta norvegjeze në Ligën e kampioneve.

Në pjesën e parë zikaltrit tentuan të krijojnë raste duke shfrytëzuar krahët, por Falcone në momente të caktuara arriti të ndalë zikaltrit. Skuadra e Di Francescos, mbrohej mirë, pavarësisht dëmtimit të Gaspar dhe pjesa e parë e sfidës u mbyll me barazimin 0-0.

Pas pushimit të ndeshjes, skuadra e Chivu e rriti ritmon e lojës dhe pak para minutës së 60, Dimarco zhbllokoi rezultatin me një gjuajtje me të majtën pas asistit të Thuram, por goli u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje të francezit në nisje të aksionit. Në këtë pikë, Chivu vendosi të hedhë në fushë Mkhitaryan dhe Akanji, një lëvizje që i dha frytet e saj. Në minutën e 75 armeni shfrytëzoi një spondë pas një goditje këndi dhe e dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë avantazhin 1-0 Interit.

Ndërsa 7 minuta më vonë, i erdhi radha zviceranit të lërë gjurmën e tij, edhe ky pas një goditje këndin për të vulosur fitoren 2-0 të zikaltërve që iu shkëputen për momentin Milanit me 10 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB