Ish-kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, analizoi humbjen e rëndë 5-2 të bardhezinjve në fushën e Galatasaray-t në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Champions League, duke nxjerrë në pah faktin që skuadra torineze po vuan ritmin e ngjeshur të ndeshjeve.

Duke folur në studion e ‘Sky Sport’, Del Piero u ndal te deklaratat e trajnerit Luciano Spalletti, i cili sipas tij ka vënë në dukje një problem thelbësor: nëse Juventusi nuk luan në maksimum, rrezikon të bëjë gabime të thjeshta që ndëshkohen menjëherë. “Në fund të fundit, kundërshtarët luajnë futboll dhe të dominojnë nëse nuk ke prani në fushë dhe personalitet”, theksoi ish-sulmuesi.

Ai vlerësoi edhe paraqitjen e shkëlqyer të Galatasaray-t, duke nënvizuar se skuadra turke zhvilloi një ndeshje të nivelit të lartë dhe e meritoi fitoren. Sipas Del Pieros, Juventusi duket se po paguan lodhjen mendore dhe fizike nga ndeshja e vështirë e së shtunës.

“Kur luan çdo tri ditë dhe duhet të jesh gjithmonë në maksimum, aty shihet potenciali real i një skuadre. Nëse Juventusi nuk arrin ta bëjë këtë si duhet, do të paguajë pasojat”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB