Klod Cara merr përsipër plagosjen e Dhimo Mecit, policia operacion në burgun grek, zbulohet rrjeti i drogës

14/02/2026 20:04

49-vjecari Klodian Lekocaj alias Klod Cara, nuk ka të ndalur me veprimtarinë e tij kriminale nga brenda burgjeve të Greqisë.

I akuzuar për porositjen e disa vrasjeve, futjen e sendeve të palejuara në qeli, pengmarrje gardianësh, kërcënime, ai vazhdon i patrazuar të kryejë krime.

Së fundmi, ai ka nënshkruar një deklaratë ku merr përsipër porositjen e vrasjes së 46-vjeçarit Dhimo Meci brenda burgut të Malandrinos. Meci u plagos me thikë më 29 janar nga një i burgosur grek. Në deklaratën me shkrim, Lekocaj shkruan: “Kërkoj të merrem në pyetje për sulmin ndaj Dhimo Mecit më 29/01/2026 në Malandrino. Unë e dhashë urdhrin për sulmin. Nuk dua të përzihet asnjë që nuk ka faj. Mund ta vërtetoj vetëm nëse për ndonjë arsye nuk mund të më ftoni”.

Ndërkohë, policia ka kryer një operacion në burgun ku ndodhet Lekocaj dhe ka zbuluar se ai qëndronte pas një rrjeti të futjes së drogës nëpër qeli. 49-vjeçari Lekocaj dhe tre të tjerë të moshës 27, 23 dhe 20 vjeç, nga të cilët njëri tashmë është i burgosur në Qendrën e Paraburgimit, u arrestuan, ndërsa dosja e ngritur kundër tyre përfshin edhe një person tjetër.

Nga hetimi rezulton se Klodian Lekocaj, duke vepruar si organizator dhe drejtues i aktiviteteve të organizatës kriminale, ishte përgjegjës për gjetjen e furnizuesve, organizimin e transportit, importimit dhe trafikimit të mëtejshëm të drogës brenda Qendrës së Paraburgimit, si dhe menaxhimin e fitimeve nga blerja dhe shitja e drogës.

I burgosuri 27-vjeçar vepronte si bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i 49-vjeçarit, ndërsa ishte përgjegjës për gjetjen e klientëve, marrjen e drogës së importuar, ruajtjen e saj, si dhe trafikimin e mëtejshëm të drogës brenda Institucionit të Paraburgimit për llogari të organizatës kriminale.

23-vjeçarja ishte përgjegjëse për marrjen, ruajtjen e përkohshme dhe riformulimin e drogës, si dhe transportimin dhe importimin e saj në Qendrën e Paraburgimit. Ajo gjithashtu merrte një pjesë të fitimeve nga trafikimi i drogës në emër të organizatës kriminale. Së fundmi, 20-vjeçari ndërmerrte herë pas here transportimin e sigurt të drogës në Qendrën e Paraburgimit.

Gjatë operacionit, brenda Institucionit të Paraburgimit, 23-vjeçarja u kap në posedim të pakove të fshehura me kujdes në trupin e saj dhe në emër të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, që përmbanin kokainë me peshë bruto 33 gramë, heroinë me peshë bruto 21 gramë, metamfetaminë kristalore me peshë bruto 13 gramë, kanabis të përpunuar (çokollatë) me peshë bruto 11 gramë dhe kanabis të papërpunuar me peshë bruto 66 gramë, me qëllim importimin e tyre në Institucionin e Paraburgimit.

Për më tepër, si pjesë e hetimeve, u gjetën dhe sekuestruan një pistoletë me ajër, 5 ampula me ajër të kompresuar për pistoletën, një pako me fishekë metalikë për pistoletë me ajër, 2 150 euro, një makinë, si dhe 3 telefona celularë.

Vërehet se tre nga të arrestuarit janë akuzuar në të kaluarën, rast pas rasti, për vrasje, pjesëmarrje në një organizatë kriminale, vjedhje, lëndime trupore, rezistencë, kërcënime, si dhe shkelje të ligjeve për drogën.

Kush është Klodian Lekocaj?

Klod Cara alias Klodian Lekocaj, 49 vjeç, një personazh kontrovers, është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur”, ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fije të grupeve kriminale, duke u vënë ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagesë. I tillë ishte edhe rasti i 14 shtatorit 2022, kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala, 39 vjeç, dhe Andi Beqiri, 23 vjeç. Ata u kapën në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë.

Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022. Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kështu “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia”, iu shtua atëherë edhe një akuzë tjetër pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobëvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.

Klodi, në fakt, veç urdhrave, ka precedentë edhe si autor i drejtpërdrejtë. Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje. Në 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volos, ndërsa në 2005 në Agio Pantaleimona plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e më pas, në të njëjtin vend, në 2006, bashkë me dy shqiptarë, plagosi me thikë një bashkëkombas të tijin. Në 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit, ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe pas disa ditësh, bashkë me Arbër Bakon, mori pjesë në tentativën e grabitjes me pasojë plagosjen e një egjiptiani, ndërsa më 31 tetor 2014, bashkë me Arbër Bako, Olti Dulce dhe një polak, kryen një vrasje në zonën e Metaksurgios.

Përfundimisht, Lekocaj u arrestua në nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit, një gjirokastrit i përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person në kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos, ku Arbër Bako me një kallashnikov plagosi disa klientë të një lokali në zonë.

Klodian Lekocaj është përmendur të ketë pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të ekzekutuar më parë në Greqi.

Në 2019 Lekocaj u akuzua se rekrutoi një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez, ndërsa në mars 2023 ndaj Lekocajt u ngrit akuzë për gjobëvënie 100 mijë euro ndaj një biznesmeni grek.

Në prill 2025 Lekocaj u akuzua për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ndodhur më 23 shtator 2024.

Në maj 2025 Lekocaj mori peng dy gardianë të burgut të Koridhalos përmes një thike, duke u marrë çelësat, radiot dhe telefonat celularë. Ai filloi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut bashkë me 7 egjiptianë, me qëllim futjen në repartin 3, ku dyshohet se do të tentonte vrasjen e një shqiptari. Ndërhyrja e forcave të tjera ndihmoi në neutralizimin e të burgosurve.

Disa ditë më pas, policia ushtroi kontroll në qelinë e Lekocaj dhe disa të dënuarve të tjerë, duke gjetur sende të paligjshme si celularë, thika e kokainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB