Zyrtare/ Yildiz është i Juventusit, talenti turk rinovon kontratën me bardhezinjtë deri në vitin 2030

07/02/2026 17:12

Tashmë është zyrtare: Kenan Yildiz ka rinovuar kontratën me Juventusin deri në vitin 2030.

Talenti turk ka firmosur marrëveshjen e re në prani të drejtorit sportiv Damien Comolli, gjatë një ceremonie të zhvilluar në sallën e shtypit të klubit bardhezi.

Pas firmës, Yildiz shprehu hapur kënaqësinë për vazhdimin e aventurës në Torino: “Dua të falënderoj John Elkann, Damien Comolli, klubin, trajnerin, shokët e skuadrës dhe tifozët. Jam shumë i lumtur që rinovoj dhe që vazhdoj të jem pjesë e historisë së Juventusit. Jam i bindur se së bashku do të bëjmë gjëra shumë të bukura. Unë e dua Juventusin dhe kam besuar që nga dita e parë se do të arrinim rezultate të mëdha. Faleminderit dhe deri në fund”.

Pas viteve të vështira, Juventus duket se më në fund ka gjetur stabilitet dhe një projekt të qartë për të ardhmen. Emërimi i Luciano Spallettit në stolin bardhezi ka sjellë jo vetëm siguri në planin afatshkurtër, por edhe optimizëm për ndërtimin e një cikli të ri fitues. Në Torino ekziston bindja se klubi ka gjetur trajnerin e duhur për të ndërtuar një projekt të qëndrueshëm, brenda dhe jashtë fushës.

Në qendër të këtij projekti është pikërisht Kenan Yildiz. Juventusi e konsideron rinovimin e tij një hap kyç për rikthimin në nivelet më të larta. Sulmuesi turk kishte tërhequr interesin e shumë klubeve të mëdha europiane, mes tyre Manchester United, Chelsea dhe Real Madrid, veçanërisht për shkak të kontratës së vjetër që skadonte në vitin 2029 dhe pagës relativisht të ulët prej 1.6 milionë eurosh në sezon.

Drejtuesit e Juventusit kanë vendosur të reagojnë me vendosmëri, duke arritur një marrëveshje të re deri në vitin 2030. Sipas kontratës së re, Yildiz do të përfitojë 6 milionë euro në sezonin aktual, ndërsa nga sezoni i ardhshëm paga e tij do të shkojë në 7 milionë euro plus bonuse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB