Hapet pikëkalimi i Rafahut në Gaza, 200 pacientë presin kalimin drejt Egjiptit

02/02/2026 15:21

Pikëkalimi kyç kufitar i Rafahut në Gazë është rihapur sot për palestinezët, edhe pse mediat egjiptiane raportojnë se në ditët e para vetëm rreth 50 persona do të lejohen të kalojnë në secilin drejtim.

Kontrolli i kësaj pike të rëndësishme hyrëse drejt Egjiptit ishte marrë nga forcat izraelite në maj të vitit 2024, në kulmin e luftës me Hamasin.

“Që nga ky moment, dhe pas mbërritjes së ekipeve të EUBAM-it në emër të Bashkimit Evropian, pikëkalimi i Rafahut është hapur për lëvizjen e banorëve, si për hyrje ashtu edhe për dalje”, deklaroi një zyrtar izraelit, në atë që shihet si një tjetër sinjal përpjekjesh për rikthim në normalitet.

Menjëherë pas lajmit, dhjetëra persona mbërritën në anën egjiptiane, duke pritur hyrjen në Gazë. Ndërkohë, transmetuesi shtetëror izraelit Kan raportoi se rreth 150 persona pritej të largoheshin nga Gaza drejt Egjiptit, përfshirë 50 pacientë. Pikëkalimi do të qëndrojë i hapur për rreth gjashtë orë në ditë.

“Pikëkalimi i Rafahut është një vijë shpëtimi”, tha Mohammed Nassir, një palestinez të cilit iu amputua këmba pasi u plagos në fillim të luftës. “Kam nevojë për një operacion që nuk mund të kryhet në Gazë, por që mund të bëhet jashtë vendit”, shtoi ai.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila funksionon nën autoritetin e Hamasit, bëri të ditur se rreth 200 pacientë po presin leje për t’u larguar nga territori. Rafahu konsiderohet një pikë jetike për hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë, ku kushtet mbeten të rënda pas dy vitesh lufte, pavarësisht armëpushimit në fuqi që prej 10 tetorit.

Top Channel