Fiks Fare/ Kulla vrojtimi pa vrojtues, vëzhgimi në plazhe zbulon shkelje të rënda të sigurisë
Një qytetar nga Vlora ka denoncuar në emisionin investigativ Fiks Fare një rast të rëndë abuzimi dhe neglizhence institucionale, ku dy fëmijët e tij biologjikë janë regjistruar në gjendjen civile me atësi të pasaktë.
Sipas denoncuesit, ish-bashkëjetuesja e tij ka regjistruar njërin fëmijë me atësi të ish-burrit të saj, ndërsa fëmijën tjetër e ka lënë pa baba, pavarësisht se ai ka qenë dhe mbetet babai biologjik i të dyve. Ai thekson se prej më shumë se 5 vitesh i mban vetë fëmijët, i dërgon në shkollë dhe kujdeset për ta në çdo aspekt.
“Fëmijët janë të mitë. Në aktet e lindjes fillimisht ishin regjistruar në emrin tim, por pas 7 vitesh ajo shkoi dhe i ndryshoi të dhënat, duke i regjistruar ndryshe,” shprehet denoncuesi, i cili kërkon vetëm një gjë, që fëmijët të regjistrohen ligjërisht në emrin e tij.
Nga ana tjetër, Fiks Fare ka kontaktuar ish-bashkëjetuesen, e cila refuzoi takimin, por në një komunikim telefonik pranoi se fëmijët janë të denoncuesit. Ajo justifikohet se në momentin e regjistrimit ishte e ndarë prej tij dhe për këtë arsye i regjistroi fëmijët ashtu siç janë sot në gjendjen civile. E pyetur pse nuk ka bërë asnjë kallëzim për rrëmbim të fëmijëve, ajo u shpreh se nuk dëshiron t’i shqetësojë ata.
Ndërkohë, Fiks Fare ka siguruar edhe një vendim gjykate, ku denoncuesi nuk është ligjëruar si baba i fëmijëve. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se fëmija i parë ka lindur në një kohë kur nëna ishte ende e martuar me një person tjetër, ndërsa për fëmijën e dytë nuk është vendosur atësi, duke u lënë pa baba në dokumente.
Në këtë proces, sipas dokumenteve, gjykata nuk ka kërkuar asnjë analizë AND-je për të përcaktuar babain biologjik, duke i lënë fëmijët në një situatë absurde. Njëri me një baba që nuk është i tij dhe tjetri pa baba. Një tjetër problematikë lidhet edhe me veprimet e gjendjes civile, e cila nuk ka kryer verifikimet e nevojshme ligjore për të dy fëmijët.
Denoncuesi kërkon ndërhyrjen e institucioneve dhe drejtësisë, për t’i dhënë fund kësaj situate që, sipas tij, po dëmton drejtpërdrejt interesin më të lartë të fëmijëve.
Top Channel