Mbrëmje gala për Kadarenë, poezia dhe proza e shkrimtarit të madh mbushin Teatrin e Operas dhe Baletit

01/02/2026 19:56

Në një mbrëmje gala nën interpretimet e poezisë dhe prozës së tij, shkrimtari Ismail Kadare u përkujtua në 90-vjetorin e lindjes nga Shtëpia Studio Kadare në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Gjatë eventit, studiuesja Persida Asllani u ndal përmes stacioneve simbolike në veprat më me peshë të Kadaresë, duke nisur me Kronikë në gur, që e cilëson pikënisje të shumë shkrimeve të autorit.

“Kjo është zanafilla e një shkrimi të jashtëzakonshëm, që na ndërton qytetin e Gjirokastrës përmes një ligjërimi që është po aq i gdhendur në gjuhë dhe në fjalë sa është e gdhendur dhe e ngritur në arkitekturën e saj Gjirokastra. Një qytet i çuditshëm, një rrëfim po kaq i çuditshëm. Një qytet pa emër, një rrëfimtar pa emër…”, tha studiuesi Persida Asllani

Ndërsa me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, Kadare dhe letërsia shqipe zuri vend në letërsinë botërore.

“Është vepra me të cilën iu imponua letërsisë shqipe, por edhe letërsisë botërore, veçanërisht lexuesit francez, kritikës kulturore francize. Është një roman me një qasje shumë origjinale sepse ngre pyetje të rënda dhe universale mbi të kuptuarit e dhunës përmes luftës”, tha studiuesi Persida Asllani.

Krahas prozës, Kadare nuk e braktisi poezinë, por e dashuroi deri në fund, sipas Asllanit.

Mes kujtimeve dhe emocioneve, botuesi Bujar Hudhri dhuroi për muzeun Kadare stilolapsin me të cilin nënshkroi kontratën me Kadare 30 vite më parë.

Ajo që më ka bërë përshtypje ishte kujdesi që unë kisha treguar për të pasur atë stilolaps dhe me këtë gjest timin, pa seriozitetin tim. Ishte i ndjeshëm ndaj detajit dhe vlerësonte gjithçka.  Është shumë emocionuese që ky shkrimtar i madh ka qenë kaq afër nesh. Sa më afër tij të rrija, aq larg tij më dukej vetja”, u shpreh botuesja Bujar Hudhri

Mes dorëshkrimeve origjinale, për herë të parë u ekspozua një shënim i rëndësishëm për ‘Prillin e thyer”, ndërsa në një kënd të veçantë u shfaqën vizatimet e “Pallatit të Ëndrrave” nga Vladimir Llakaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB