100 vjet nga lindja e Tish Daijsë, mjeshtri që hodhi themelet e baletit shqiptar dhe modernizoi muzikën shqiptare

30/01/2026 15:34

Kompozitori Tish Daija, një nga figurat themelore të muzikës shqiptare u përkujtua në 100-vjetorin e lindjen me një konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit e Universitetit të Arteve.

Mjeshtri i muzikës u formua në qytetin e tij të lindjes, ku kori françeskan dhe fryma qytetare shkodrane shënjuan krijimtarinë e tij, së bashku me edukimin në Konservatorin e Shkodrës. Që në moshë të re, kontribuoi si kompozitor në Luftën Nacional Çlirimtare.

“Mario Daci është strehuar disa disa në shtëpinë e Tish Daisë dhe aty e ka parë kur interpretuar në piano, aty lindi ky bashkëpunim. Profesori ishte i ri në atë periudhë, por kishte shkruar 2-3 këngë shumë të bukura”, u shpreh akademiku Vasil Tole.

Daija është hyri në histori si kompozitori i baletit të parë shqiptar, “Halili dhe Hajrija”.

“Është historike pesha që mban baleti i tij shqiptar. Solli një balet klasik shqiptar, hodhi bazat edhe të koreografisë muzikore shqiptare”, tha muzikologia, Zana Shuteriqi.

Vepra e tij përfshin thuajse të gjitha gjinitë muzikore, nga muzika simfonike dhe ajo e dhomës te baleti opera, operetta, muzika e filmit.

“Kontribuoi në modernizimin e këngës shqiptare, ka këngë të mrekullueshme që lanë gjurmë si ‘Lule bore’, por është lëvruesi i parë i bluz me këngën e festivalit të famshëm në 1972”, shprehet Shuteriqi.

“Në gjakun e tij vlonte melodia dhe kënga. Ishte shumë i avancuar në kohën, në vitet kur ai punoi”, thotë muzikologia.

Dikur studente dhe më pas kolege e tij, Shuteriqi kujton momentet e vështira të kompozitorit që krijoi në periudha të vështira për artin në Shqipëri.

“Në një moment ai u përlot. Një gazetë që unë nuk e dija, e kishte cilësuar Tish Dainë komunistin e fundit në Shqipëri. Ishte për të qeshur sepse nuk kishte asgjë politike tek ai”, rrëfen muzikologia.

Djali i kompozitorit shpreh shqetësimin për autorësinë e krijimeve të Daisë, që sipas tij rrezikojnë të harrohen.

 “Një nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ishte Aleksandër Banushi. Krijoi Gajdexhiun, që titullin e parë e kishte ‘Sot ka festë kooperativa’, i thotë Sandri po 5 nota janë. Ai i tregon që e ka menduar me gajde dhe do dalë bukur, sot e ka humbur autorësinë ajo këngë”, shprehet Agustin Saija, djali i kompozitorit.

Edhe për muzikologen Shuteriqi, trashëgimia që kanë lënë pas këta artistë të mëdhenj të skenës shqiptare nuk njihet sa duhet nga brezat e rinj.

Ato tekstet që bëjnë në lëndën e muzikës i kalojnë përciptas. Është edhe një publik tjetër, brezi i mesëm, që e ka harruar që ne kemi emra të tillë kaq të mëdhenj”, përfundon Shuteriqi.

Studiuesit që kanë pasur fatin të marrin leksione nga kompozitori i madh kujtonte sa rëndësi i kushtonte ai promovimit të artistëve të rinj, ndërsa për muzikën shqiptare mbetet ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB