Ekspozita që flet me kujtime/ “FAMILIAR”, pjesë e javës kulturore zvicerane që zgjat deri më 7 shkurt

29/01/2026 19:56

Kujtesa është një formë krijimi për Matilda Odobashin, që ka hedhur në telajo çaste të jetuara me familjen.

Në ekspozitën e sapoçelur në Hapësirën e Artit Minus të titulluar “F AM I LIAR”, artistja fton publikun në një regjistër ëndrrash, bazuar tërësisht në përjetimet e saj personale, përfshirë humbjen e njeriut të shtrenjtë, gjyshes.

“Titulli është një lojë brenda fjalës, i referohet një hapësire që është shtëpia, që është sa familjare kur mbushet plot me njerëz dhe se sa e huaj ajo kthehet kur këta njerëz largohen, ndahen nga jeta apo emigrojnë”, u shpreh artistja vizive Matilda Odobashi.

Tonet e zbehta dhe kalimet drejt të zezës shpalosin ndërveprimin mes personazheve kryesorë dhe dytësorë për familjen, vijat e kuqe gjurmojnë ndryshimet ndryshimet hapësinore që ka pësuar shtëpia.

“Ti e shikon familjen dhe shtëpinë shumë ndryshe. Gjithçka fillon bëhet më nostalgjike”, u shpreh Odobashi.

Matilda e udhëheq shikuesin nga identitetet kolektive drejt një brendësie vetmitare, ashtu si kjo hapësirë ku pikturat Amerika 1 dhe Amerikan 2 përballen me njëra-tjetrën.

“Është portreti im kur kam qenë e vogël, me një bluzë ku shkruhet ‘America’, paraqet ëndrrën amerikane që kemi pasur kur kemi qenë të vegjël. Vazhdon me një pikturë tjetër që ka një lloj imagjinate më agresive, duket sikur aty fillon e thyhet kjo ëndrra, fillon e kupton më shumë disa gjëra, duke u nisur edhe nga situate aktuale.

Më pas vazhdon me një instalacion prej metali që quhet ‘Heshta’, që ka një lloj dykuptimësie, heshtës si armë, por edhe heshtjes kur mbaron fjala dhe nis veprimi. Simbolizon një yll të shkëputur nga flamuri amerikan”, tha ajo.

Kjo ekspozitë multimediale është pjesë e Javës Kulturore Zvicerane, që deri më 7 shkurt do të paraqesë shfaqje në muzikë, teatër dhe vallëzim bashkëkohor që trajtojnë dinamikën sociale dhe kulturore të Shqipërisë, ekspozita që shqyrtojnë se si kujtesa kolektive formohet përmes imazheve, tingujve dhe botimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB