Ismail Kadare përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes/ Ekspozohet letra e shkrimtarit për ish-presidentin Bush, botohet studimi që analizon gjeniun e letrave në kritikën botërore

28/01/2026 16:01

Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, u përkujtua në 90-vjetorin e lindjes me disa aktivitete, që mblodhën personalitete të letërsisë, artit dhe politikës.

Me iniciativën e miqve, Kadare u përjetësua përmes një statuje në bronz të gdhendur nga skulptori Henri Mimani, në Bar Juvenilja ku konsumonte kafenë çdo ditë dhe që për të shërbente si vendtakim për të gjithë lexuesit e admiruesit që donin të kishin një kujtim me të.

Jam shumë e emocionuar që e shikoj të ngritur në bronz figurën e Ismailit, që e kam në mendje gjithmonë si një njeri të gjallë. Takimet me lexuesit ishin një nga kënaqësitë më të mëdha të tij“, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.

Nuk ka tavolinë dhe karrige, ku nuk jemi ulur këtu, në dimër e në verë, në vapë dhe në shi“, kujtoi botuesi Bujar Hudhri.

Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme u çel një ekspozitë me letërkëmbimet e Kadaresë me personalitete të shquara, botime të rralla dhe artefakte nga “Shtëpia Studio Kadare”, përfshirë letrat dërguar ish-Presidentit të SHBA-së, George Bush.

Letra e dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, përmes mikut të tij, nobelistit Elie Wiesel, mbetet një nga aktet më domethënëse të kësaj diplomacie morale. Në një kohë kur në Shqipërinë komuniste, një letër e tillë mund të kushtonte edhe dënimin kapital, Kadare i drejtohej Presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, duke kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar për armiqësinë e imponuar nga regjimi komunist“, tha ministrja e Jashtme Elisa Spiropali.

Mes botimeve që u ekspozuan për publikun janë dhjetëra shkrime të Kadaresë dedikuar Kosovës, nevojës për liri dhe pavarësi, që për të mbeti prioritet deri në fund të jetës.

“Në vitin 1966, ai do të shkruante: ‘Sa herë kam kaluar nën qiellin tënd Kosovë, midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua, ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit’. Për të, Kosova nuk ishte thjesht çështje politike, ishte dhimbje personale”, shtoi ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

‘Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet’, u shpreh akademiku Rexhep Qosja në letrën e dërguar në këtë ditë të veçantë, duke e vlerësuar Kadarenë si shkrimtarin që shndërroi historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe.

Ndërsa në Akademinë e Shkencave, ku u promovua vepra në tre vëllime “Kadare në kritikën botërore”, që sjell analiza të veprës së Kadaresë nga kritikë dhe studiues ndërkombëtarë.

Janë 2500 shkrime nga 30 vite krijimtari. Vëllimi i tretë është në shumë gjuhë, duke paraqitur mendimin botëror për veprën e Kadaresë“, shpjegoi studiuesi Bashkim Kuçuku.

Ismail Kadare la pas një testament të përjetshëm të letrave shqipe, përmes të cilave u bë shenjues i identitetit tonë kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB