Mario Balotelli është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë larg futbollit evropian.

Sulmuesi italian është prezantuar zyrtarisht si përforcimi më i ri i Al Ittifaq, klub që militon në kategorinë e dytë të futbollit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe që drejtohet nga trajneri portugez Ricardo Pinto. Lajmi ishte paralajmëruar në fillim të muajit, por zyrtarizimi erdhi këtë të premte.

Balotelli kishte udhëtuar disa ditë më parë në Dubai për të njohur nga afër klubin dhe projektin sportiv. Trajneri Pinto nuk e fshehu entuziazmin për afrimin e italianit: “Stafi dhe lojtarët presin që Mario të jetë Mario dhe t’i sjellë vlerë klubit dhe kampionatit. Në një shkallë nga 1 në 10, entuziazmi im është 20”, u shpreh portugezi. Ky transferim vjen pas një eksperience aspak pozitive te Genoa, ku Balotelli u aktivizua vetëm në gjashtë ndeshje pa arritur të shënonte gola. “Një emër që nuk ka nevojë për prezantim, një prani që flet vetë. Historia vazhdon, së bashku”, shkruan klubi nga Dubai në njoftimin zyrtar.

Në muajt e fundit, emri i Balotellit ishte përmendur edhe për një kalim të mundshëm në futbollin brazilian, konkretisht te Fluminense, por negociatat nuk u konkretizuan. Në moshën 35-vjeçare, Al Ittifaq do të jetë klubi i 12-të në karrierën profesionale të sulmuesit veteran, i cili ka veshur fanellat e gjigantëve si Inter, Manchester City, Milan, Liverpool dhe Marseille.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB