FIGC, shfaqet një rrugë e re për administrimin; por kështu rrezikojnë klubet e mëdha të Serie A dhe kombëtares italiane

04/04/2026 12:24

Dështimi i Italisë për t’u kualifikuar për në Botërorin e Kanadasë, SHBA dhe Meksikës solli nisjen e revolucionit të futbollit italiane. Dorëheqja e Gravinës nga posti i presidentit të FIGC hapi zyrtarisht garën për zgjedhjet e reja në këtë post, por duhen bërë llogaritë edhe me kërkesën e ministrit Abodi.

Ky i fundit nuk e sheh me sy të mirë kandidaturën e Malagò dhe është shfaqur menjëherë në favor të vendosjes së një administratori të përkohshëm dhe nuk i ka humbur shpresat në këtë pikë pavarësisht deklaratave të presidentit të CONI, Buonfiglio që  u shfaq shumë skeptik.

‘Që të kete një Komisar, është e nevojshme që të verfikohen mangësi të rënda administrative, kur organizmat nuk funksionojnë dhe ka një menaxhim të dobët etike e morale ose kur verifikohet mungesa e startit të kampionatit-deklaroi Buonfiglio.

Por  sipas ‘La Repubblica’, ideja e administrimit të përkohshëm, nuk është totalisht e hedhur poshtë, teksa Claudio Lotito, që është shumë pranë Abodit, i kërkoi Lorenzo Casinit, ish presidentit të Lega Serie A, të përgatisë një projekligj që do t’i lejonte politikës të administronte perkohësisht Federatën Italiane të Futbollit.

Një tentativë, tepër e guximshme kjo, por që nuk gjen përkrahje as në radhët e qeverisë. Për shumë persona kjo do të përbënte ndërhyrje të thellë të politikës në futboll, diçka që nuk i pëlqen as UEFA që po e monitoron nga afër situatën. Nëse kjo manovër do të realizohet, pra nëse do të ketë administrim të përkohshëm të FIGC nga ana e qeverisë italiane, UEFA mund të vendosë të përjashtojë skuadrat italiane nga kompeticionet e saj për klube e madje edhe kombëtaren italiane nga Evropiani. Pra rrezikohet shumë, edhe humbja e organizimit të Euro 2032.

Top Channel