Champions League/ Thuram e McKennie i japin suksesin Juventusit, Atalanta hedh poshtë shansin e artë për në Top-8

21/01/2026 23:17

Juventusi mund Benfican dhe Spalletti fiton duelin me Jose Mourinho. Në Allianz Stadium, Zonja e Vjetër iu imponua skuadrës portugeze duke e mundur me rezultatin 2-0 duke marrë këtë fitore që e ngjit në kuotën e 12 pikëve po aq sa edhe Interi.

Pjesa e parë ishte e komplikuar për bardhezinjtë, me dy pritje të Di Gregorios ndaj Sudakov. Në fillimin e pjesës së dytë, lëvizjet e Spallettit rezultuan vendimtare; largoi Miretti për të hedhur në fushë Conceiçao me Mckennie që u spostua në qendër. Në minutën e 55 erdhi edhe goli i avantazhit për Juventusin me Thuram që më një gjuajtje në hyrje të zonës i ndihmuar edhe nga një devijim mposhti portierin Trubin. Goli zhbllokoi përfundimisht Juventusin që në minutën e 64 gjeti edhe golin e dytë pikërisht me McKenin pas kombinimeve me David dhe rezultati shkoi 2-0. Benfica pati shansin më të mirë për të rihapur llogaritë me një penallti të fituar, por Pavlidis rrëshqiti dhe e gaboi gjuajtjen e tij nga pika e bardhë dhe rezultati mbeti 2-0 me Juventusin që tashmë e ka të siguruar matematikisht playoffin, por sheh që ka ende shpresa për Top-8

Atalanta çoi dëm një shans të artë për të parë veten në Top-8 dhe tani sheh t’i zbehet ëndrra e saj për t’u kualifikuar direkt. Skuadra bergamaske e Berat Gjimshitit që ishte titullar, u mund në shtëpi nga Athletic Bilbao me rezultatin 3-2 dhe mbetet me 13 pikë. Skuadra e Palladinos e nisi mjaft mirë ndeshjen teksa mori avantazhin në minutën e 16 me golin e Scamacca. Atalanta u duk se e kishte kontrollin e lojës në pjesën e parë, por pas pushimit të ndeshjes, skuadra e drejtuar nga Valverde reagoi dhe në minutën e 58 barazoi shifrat me Guruzetën, ndërsa në të 70 skuadra baske realizoi përmbysjen teksa mori kryesimin në rezultat me Serranon. Në minutën e 74, ishte Navarro që pas dy asisteve la gjurmën në këtë ndeshje teksa shënoi golin e tretë për Athletic Bilbao, ndërsa në minutën e 88, Atalanta shkurtoi diferencën me Krstovic në 2-3 por pa bërë dot  asgjë më shumë. Bilbao fitoi sfidëen dhe ngjitet në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Atalantës tani i duhet të bëjë të pamundurën për kualifikimin direkt në 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB