Rrëshqitje masive toke në fshatin Spathar të Librazhdit, dëme në banesa dhe infrastrukturën rrugore
Gjykata e Durrësit vendosi arrest në burg për drejtorin e arrestuar të burgut të Durrësit Indrit Cërloj dhe arrest në shtëpi për mjeken e institucionit Ylfete Sema, duke lënë kështu në fuqi vendimin paraprak për këta dy shtetas.
Ndërkaq të shtunën e kaluar gjykata e Durrësit la në qeli 3 nga 8 të arrestuarit e tjerë për arratisjen e Altin Ndocit, ndërsa dy të tjerë u lanë arrest shtëpie dhe tre detyrim paraqitjeje.
“Ishte caktuar më parë masa e arrestit në burg dhe gjykata vendosi vazhdimin e kësaj mase. Jemi dakord që është ngjarje e rëndë, ka cenuar sigurinë e sistemit të drejtësisë, por përgjegjësia është personale, individuale dhe çmojmë se kemi të bëjmë me interpretim të gabuar të ligjit në lidhje me detyrën që ka një drejtor. Akuza që ka drejtori i IEVP është ka firmosur një shkresë nga sektori i shëndetësisë që do shkonte për vizitë një i paraburgosur, dhe e pyesin ‘pse nuk e ke verifikuar nëse e ka bërë vizitën apo jo mjeku i IEVP’. Kjo është gjithë akuza që ka drejtori, ne do ta ankimojmë rastin”, u shpreh avokati i Cërlojt, Ndriçim Troplini.
Si ndodhi arratisja e Ndocit?
Rreth orës 13.00 të së martës së kaluar, ai është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.
Top Channel