“U godita me shtatë plumba në fytyrë”, iranianët rrëfejnë dhunën brutale gjatë protestave antiqeveritare

16/01/2026 13:32

Iranianët që kalojnë kufirin drejt Kurdistanit Irakian rrëfejnë dhunën e ushtruar nga forcat e sigurisë gjatë protestave në Iran.

Një protestues, që kërkoi të mbetet anonim, tha se u qëllua në fytyrë me plumba gome gjatë një proteste në qendër të vendit.

U godita me shtatë plumba gome në fytyrë, në ballë, faqe, buzë dhe nofull. Njërin prej tyre e hoqa vetë me brisk,” tregoi një prej tyre, duke shtuar se nuk guxoi të shkonte në spital nga frika e arrestimit.

Sipas tij, shumë të plagosur po shmangin trajtimin mjekësor për të njëjtën arsye. Ai rrëfeu edhe rastin e një fëmije 12–13 vjeç, i cili u qëllua dy herë me armë zjarri në këmbë gjatë protestave. Një prej plumbave i ka mbetur i bllokuar në kockë, por familja ka frikë ta dërgojë në spital.

Edhe pse autoritetet iraniane kanë bllokuar internetin dhe komunikimet telefonike, disa qytetarë pohojnë se protestat kanë vazhduar deri ditët e fundit në zona të ndryshme, përfshirë periferi të Teheranit. Megjithatë, mungesa e pamjeve dhe ndalimi i mediave të huaja e bëjnë të vështirë verifikimin e situatës në terren.

Grupet për të drejtat e njeriut raportojnë se mijëra persona janë vrarë gjatë shtypjes së protestave, ndërsa frika dhe dhuna po mbajnë shumicën e qytetarëve të mbyllur në shtëpi.

Në kufi, zërat e atyre që arrijnë të largohen flasin për një realitet të ashpër: protesta të shtypura me forcë dhe qytetarë të plagosur që jetojnë me frikën e arrestimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB