Luis Figo komenton lëvizjet tek Real-i: Arbeloa është një bast i drejtuesëve…duhet t’i shkojnë deri në fund

16/01/2026 18:04

Luis Figo ka komentuar vendimin e Real Madridit për të shkarkuar Xabi Alonson dhe për t’ia besuar stolin trajnerit të Castilla-s, Álvaro Arbeloa. Ish-‘ylli’ i “Los Blancos” e ka cilësuar këtë lëvizje si një rrezik të llogaritur nga drejtuesit e klubit, duke theksuar se tani është e nevojshme mbështetja totale për trajnerin e ri deri në fund të sezonit.

“Është një bast nga bordi drejtues dhe ne duhet ta mbështesim Arbeloan për pjesën e mbetur të sezonit. Është një vendim i klubit”, është shprehur Figo. Sipas tij, shkarkimi i trajnerit në mes të sezonit përbën gjithmonë një situatë negative për të gjithë ambientin e skuadrës. Figo ka pranuar se largimi i Xabi Alonsos ka qenë i papritur: “Shkarkimi i Xabit është surprizë, sepse jemi vetëm në gjysmën e sezonit. Në këto rrethana nuk pret një ndryshim trajneri, madje as pas humbjes së një kompeticioni si Superkupa e Spanjës. Kjo është arsyeja pse vendimi më duket befasues”.

Ish-fituesi i Topit të Artë ka theksuar se tani prioriteti kryesor për Real Madridin duhet të jetë rikthimi i stabilitetit. “Pas largimit të një trajneri, stabiliteti është thelbësor në çdo aspekt. Sezoni është ende i gjatë dhe ka shumë për t’u luajtur”, ka shtuar ai.

Sipas Figos, Real Madridi ka ende mundësi reale për të fituar trofe të rëndësishëm: “Madridi ka dy kompeticione shumë të rëndësishme që mund t’i fitojë. Por për ta bërë këtë, duhet të përmirësohemi në çdo aspekt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB