Sulm me raketa në Ukrainë, të paktën 15 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Kievi përgjigjet duke shkatërruar një nga objektet më të rëndësishme ushtarake ruse
Ka përfunduar në mënyrë tragjike kërkimi për Annabella Martinelli-n, 22-vjeçaren nga Padova, e cila rezultonte e zhdukur që prej 6 janarit.
Trupi i saj u gjet i varur në një zonë të kodrave Euganean, vetëm pak metra larg vendit ku më herët ishte gjetur biçikleta e saj.
Në vendngjarje mbërritën Prokurori Publik i Padovës, karabinierët dhe mjeku ligjor, të cilët po hetojnë rrethanat e ngjarjes për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes.
Annabella ishte larguar nga shtëpia e prindërve të saj në Teolo (Padova) mbrëmjen e 6 janarit, pak pas orës 20:00. Ajo kishte hipur në biçikletën e saj vjollcë dhe ishte nisur drejt kodrave mbi Padova. Lëvizjet e saj u filmuan nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës.
Gjatë itinerarit, e reja ishte ndalur në një piceri në Selvazzano, ku bleu dy pica. Më pas, kamerat e kapën teksa vazhdonte rrugën drejt Teolos. Gjurmët e saj humbën në Villa di Teolo, pak pas orës 23:00.
Biçikleta e Annabellës u gjet e lidhur në një shtyllë, me kutitë bosh të picave pranë. Trupi i saj u zbulua rreth 100 metra larg këtij vendi, në zonën kodrinore.
Sipas hetuesve, telefoni celular i 22-vjeçares kishte dhënë sinjalin e fundit në zonën e kodrave, përpara se të fikej po atë natë.
Gjatë ditëve të kërkimit, dhjetëra vullnetarë u angazhuan në operacionin e gjerë, me ndihmën e njësive të qenve, dronëve dhe helikopterëve. Zyra e Prokurorit të Padovës kishte hapur gjithashtu një hetim për të verifikuar edhe mundësinë e përfshirjes së personave të tretë, përfshirë hipotezën e rrëmbimit.
Deri më tani nuk ka elementë të qartë që të tregojnë praninë e personave të tjerë në vendngjarje, ndërsa rrethanat e sakta që çuan në këtë fund tragjik mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi.
Top Channel