Milani ka filluar të shohë drejt së ardhmes dhe këtë e bën sidomos duke menduar për mesfushën, repart ku kuqezinjtë kanë investuar dhe do të vazhdojnë ta bëjnë edhe në të ardhmen.

Ajo që do të përcaktojë zgjedhjet e Igli Tares do të jetë pikërisht e ardhmja e Luka Modric që sot për sot është shumë e pasigurt. Padyshim, nuk është cështje raportesh mes futbollistit dhe klubit pasi nuk ka asnjë problem. Dyshimet janë për shkak të moshës së Modric dhe kontratës që i skadon në qershor të këtij viti, faktorë këto që të shtyjnë të bësh reflektime, gjë që është mëse normale.

Luka Modric ndihet shumë mirë te Milani dhe Milano dhe në kontratën e tij është përfshirë një opsion për rinovimin e saj për sezonin 2026-2027. Një opsion që klubi do ta aktivizonte me kënaqësi, por vendimi i takon vetëm mesfushorit kroat. Pavarësisht moshës, Modric ka treguar se është ende në gjendje që të bëjë diferencën në fushë dhe ardhja e tij ka ndihmuar skuadrën e Milanit të ringrihet pas një sezoni shumë të vështirë sidomos në aspektin e personalitetit.

Mesfushori tashmë 40 vjeçar ka vendosur një afat për të marrë vendimin e tij për të ardhmen; përfundimin e Botërorit të këtij viti që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ky i këtij viti do të jetë edicioni i pestë i Kupës së Botës për Luka Modric dhe me shumë mundësi do të jetë edhe i fundit. Edhe e ardhmja në kombëtaren kroate nuk është e sigurt për Luka Modric i cili mendohet se do të kthehet pikërisht te Dinamo e Zagrebit. Përpara Modric dalin dy opsione; mundësia për të luajtur Champions League me Milanin(nëse kualifikohet) apo kthimi në shtëpi për të mbyllur në mënyrë romantike karrierën e tij. Ashtu sikurse edhe në fushën e lojës, topi është në këmbët e kroatit, i takon atij të bëjë zgjedhjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB