Arsenali bën një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Ligës në Angli. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta fitoi ndeshjen e parë gjysmëfinale në Kupën e Ligës në derbin londinez me Chelsea në Stamford Bridge të cilin e mundi me rezultatin 3-2.

Arsenali e nisi vrullshëm sfidën teksa mori avantazhin në rezultat që në minutën e 7 me golin e Ben White që përfitoi edhe nga një dalje e gabuar e portierit Sanchez. Pas këtij goli, Chelsea u duk i tulatur, megjithatë Blutë arritën të rrezikonin portën e Arsenalit me Estebvaon që u ndal nga por portieri i Topçinjve, Kepa. Në krahun tjetër, Arsenali pati shansin më të mirë për të shënuar golin e dytë me Gyokeres, por suedezi nuk ishte i saktë.

Atë që nuk bëri në 45 minutat e para, Gyokeres e realizon në fillimin e pjesës së dytë duke shënuar golin e dytë ku edhe këtë radhë ishte portieri Sanchez që u bë protagonist negativ teksa nuk mundi të mbajë topin në zotërim në aksionin e golit të Topçinjve. Në minutën e 57, Chelsea u rikthye në lojë teksa shkurtoi diferencën e rezultatin në 2-1 me golin e Alejandro Garnacho pas një aksioni që nisi nga një gabim i lojtarëve të Arsenalit. Ky gol i dha krahë Chelsea që nisi të kërkojë të shënojë një tjetër gol, por atë e gjeti skuadra e Mikel Artetës që me Zubimendin e çoi rezultatin në 3-1 për Topçinjtë që i dhanë një goditje të rëndë Chelsea.

Por historitë nuk mbyllen këtu, pasi Garnacho shënoi sërish për Chelsea duke rihapur edhe njëherë llogaritë e ndeshjes duke e shkurtuar në 3-2 rezultatin dhe duke e ndezur  akoma më shumë këtë derbi në minutat e fundit. Gjithsesi Arsenali rezistoi deri në fund dhe arriti të mbyllë ndeshjen me rezultatin 3-2 për Arsenalin që mori një fitore të rëndësishme për cështjen e kualifikimit për në finale duke qenë se gjysmëfinalen e kthimit do ta luajë në Emirates

Top Channel

DIGITALB DIGITALB