“Absurde, te Reali vendosin lojtarët”/ Henry kritikon ashpër shkarkimin e Xabi Alonsos: Te Barcelona është ndryshe

13/01/2026 13:16

Shkarkimi i Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridit ka vazhduar të ngjallë reagime të forta në botën e futbollit.

I fundit që iu bashkua kritikave ishte legjenda franceze Thierry Henry, i cili e cilësoi vendimin si të nxituar dhe simptomë të mungesës së durimit ndaj trajnerëve në klubet e mëdha.

“Gjithmonë më duket qesharake kur një trajner përballet me probleme pas vetëm gjashtë muajsh pune. Por te Real Madridi apo Barcelona, mund të zgjohesh dhe të dëgjosh lajme të këqija. Gjërat ndryshojnë shpejt. Është absurde”, deklaroi Henry për CBS.

Sipas tij, profili i Xabi Alonsos nuk përputhej me realitetin e Real Madridit, ku pesha kryesore bie mbi lojtarët dhe jo mbi trajnerin. “Nuk mendoj se trajneri duhet vënë gjithmonë në dyshim. Duhet të përpiqesh të kuptosh se çfarë mund të sjellë ai. Disa thonë se Alonso po stërviste shumë dhe nuk po menaxhonte mjaftueshëm. Nuk pajtohem. Më vjen keq për të, sepse te Leverkuseni tregoi qartë çfarë mund të bëjë kur ekipi e dëgjon trajnerin”, shtoi francezi.

Henry krahasoi gjithashtu filozofinë e Real Madridit me atë të Barcelonës: “Në Barcelonë, lojtarët lejohen të jenë lojtarë dhe trajnerët trajnohen aty. Ka një stil loje që duhet respektuar. Te Real Madridi është ndryshe: 90 për qind janë lojtarët dhe vetëm 10 për qind trajneri. Duhet t’i lësh ata të marrin frenat, por ndonjëherë egoja i ndërlikon gjërat.”

Deklaratat e Henry-t i shtohen debatit mbi mënyrën se si klubet elitare menaxhojnë trajnerët dhe presionin ekstrem për rezultate të menjëhershme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB