Zjarri masiv në kryeqytet tek ish- uzina Dinamo, ende ka riaktivizime vatrash Prej tre ditësh, në shumë zona Shqipëria vijon të jetë e përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Këtë të enjte është regjistruar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.
Në disa zona të Elbasanit si dhe në veri, shiu i ka lënë reshje dëborës, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë akse.
Në Vlorë, niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë.
Në Shkodër ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Në Lezhë rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll, rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Në Durrës, një nga zonat më të prekura, po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Në Krujë si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Në Shijak ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Në Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar; po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore; ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Po ashtu, ka rritje të niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Në Korçë ka disa rrugë të pakalueshme në Devoll si dhe janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas. Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë në Berat. Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur në Fier. Ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra; në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.
Nënkalimi poshtë autostradës Vlorë-Fier që lidhë disa fshatra të Njësisë Administrative Novoselë është bllokuar nga uji i lumit Vjosa që ka dalë dhe po përmbyt këtë zonë. Niveli ka shkuar 1.5 m dhe asnjë makinë nuk kalon dot, ndërsa janë izoluar edhe 6 fshatra. Korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi raporton se uji i lumit Vjosë që ka dalë nga shtrati, ka hyrë edhe në autostradën Vlorë- Levan.
Prefektura e Qarkut Gjirokastër njofton qytetarët dhe përdoruesit e rrugës se, si pasojë e çarjes së karrexhatës për shkak të reshjeve të dendura të shiut, aksi rrugor “Përmet–Çarçovë”, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”, është i bllokuar për qarkullim.
Reshjet e dendura të shiut që kanë sjellë dhe përmbytje në disa zona kanë bërë që hidrocentralet kryesore në vend të shkojnë drejt niveleve maksimale të shfrytëzimit duke rritur edhe prurjet në Kaskadën e Drinit.
Kapiteneria e Portit Durrës në bashkëpunim me ASHD, me rimorkiatorin ”Epidamn II” me kapiten Petrit Cila, ka kryer një operacion shpëtim/rimorkim ndaj anijes Oak 1, IMO 8104591, të cilës ju këputën të dyja spirancat si pasojë e detit mbi 6 ballë në radën e portit Durrës, duke rrezikuar të dilte në cektinë, anija po rimorkiohet për në kalatën Nr.5 të Portit Durrës.
Konvikti i Shkollës Profesionale “Rakip Kryeziu” në Fermë-çlirim është gati për strehimin e banorëve të evakuuar nga përmbytjet në Fier. Përgjegjësi i këtij konvikti thotë se priten 20 banorët e parë të evakuuar por kapaciteti është për 100 persona.
18:40 Vjosa doli nga shtrati, uji hyn edhe në autostradën Vlorë-Levan
Vijon problematike situata me përmbytjet në qarkun e Vlorës dhe Fierit. Korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi raporton se uji i lumit Vjosë që ka dalë nga shtrati, ka hyrë edhe në autostradën Vlorë- Levan. Një aks rrugor prej 500 metra është me ujë dhe kalimi bëhet me vështirësi.
Zv. Kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka mbledhur këtë pasdite Shtabin e Emergjencave për qarkun Gjirokastër, i cili është prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut. Balluku theksoi pas mbledhjes se lajmi i mirë është se në gjithë zonat nga ku kalon lumi i Vjosës, krahasuar me nivelin e sotëm në pikën e matjes në Memaliaj që ka qenë 8 metra, tani ka rënë në 6.5.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në vend, duke u shprehur se po e ndjek nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Me anë të një njoftimi në rrjetin X, delegacioni është shprehur se së bashku me Shtetet Anëtare, BE është e gatshme të mbështesë popullin shqiptar në përballimin e motit ekstrem, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit.
Policia rrugore iu ka bërë thirrje drejtuesve që të kenë kujdes në qarkullim për shkak të kushteve të rënduara në akset rrugore si pasojë e motit të keq. Gjatë inspektimit të situatës në terren pasditen e sotme, drejtuesi i Policisë Rrugore Perlat Vatoci, iu ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse.
Çahet argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras. Korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni raporton se uji ka hyrë në fshat duke rrezikuar gjithë banesat. Aktualisht po merren masa për evakuimin e banorëve, ndërsa situata paraqitet alarmante.
17:52 Nis bora intensive në Bulqizë, rëndohet situata në rrugët nacionale dhe rurale
Reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me erë të fortë dhe me temperatura të ulëta, kanë sjellë në rëndimin e situatës në rrugët nacionale dhe ato rurale të Bulqizës. Korrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj bën me dije se trashësia e dëborës ka arritur 15 centimetra në qytet.
17:48 Agravon situata në Durrës, protestuesit dhe dy deputetët e PD tentojnë të futen me forcë në Bashki
Është tensionuar situata në Durrës, teksa një grup protestuesish, mes tyre dhe deputetët e PD Oerd Bylykbashi dhe Arjan Ndoja, kanë tentuar të futen me forcë në Bashkinë e qytetit.
17:29 Përmbytjet në Durrës, dhjetëra banorë në protestë: Shpallni gjendjen e emergjencës
Me thirrjet “Durrësi, skenë e krimit” “shpallni gjendjen e emergjencës” dhjetëra banorë kanë protestuar në rrugët e Durrësit kundër situatës që po kalon Durrësi. Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi ata e kanë nisur protestën e tyre nga rrethrrotullimi pranë burgut për të vijuar marshimin drejt bashkisë së Durrësit. Sipas protestuesve, përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet dhe jo fatkeqësi natyrore.
17:12 Moti i keq, policia e Elbasanit nuk lejon asnjë makinë pa zinxhirë dhe goma dimërore në disa akse
Policia Rrugore Qarku Elbasan nuk lejon asnjë mjet të qarkullojë pa zinxhirë apo goma dimërore në disa akse. Konkretisht zinxhirët dhe gomat dimërore janë të detyrueshme në akset Elbasan- Gjinar, Elbasan Qafë Thanë, Elbasan- Fushë Studen. Këto masa vijnë për shkak të reshjeve të dëborës në këto zona dhe për të rritur sigurinë rrugore.
16:55 I moshuari në Novoselë evakuohet nga banesa e mbuluar nga uji, merr në prehër qenin dhe dhinë
Policia Kufitare ka evakuuar mesditën e sotme dy familjarë në zonën e Novoselës, ku ndodhen 10 banesa të komunitetit rom, të cilët nuk kishin dashur të largoheshin më parë. Pavarësisht se niveli i ujit kishte arritur rreth një metër e gjysmë brenda shtëpisë, ata kishin mbetur të izoluar. Policia Kufitare, në bashkëpunim me forcat Delta Force, ka nxjerrë dy të moshuarit dhe më pas i ka transportuar me gomone drejt rrugës kryesore në njësinë administrative Vjosë.
Situata vijon të jetë e tensionuar në zonën e Ferrasit, Fier, pasi niveli i ujit ka arritur pranë kufirit maksimal të argjinaturës. Për të shmangur çdo rrezik përmbytjeje, strukturat përgjegjëse dhe banorë të zonës kanë ndërhyrë me vendosjen e thasëve me rërë përgjatë argjinaturës, duke forcuar pikat më problematike.
15:24 Mbushet Liqeni Artificial i Tiranës, 40 cm larg pikës maksimale/ Ka nisur shkarkimi automatik
Reshjet e shumta të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin, po japin efektet e tyre edhe në Tiranë, duke rritur nivelin e ujit në digën e Liqenit Artificial. Aktualisht niveli i kuotave në Liqenin Artificial të Tiranës ka arritur në 117.60 metra, sipas matjeve fizike të kryera me latë metrike. Niveli maksimal është 118 metra.
15:21 Përmbytjet në vend me një viktimë, Prokuroria e Durrësit nis hetimin për shpërdorim detyre
Prokuroria e Durrësit kërkon hetimin mbi përmbytjet në qytetin e Durrësit. Në shkresën e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, përmendet se hetimet kanë nisur mbas reshjeve të shiut të datave 6 dhe 7 janar, kur kanë ndodhur disa përmbytje në disa rrugë të qytetit dhe në zonat përreth.
15:19 Probleme me motin në Përmet/ Evakuohen katër familje, vërshimesh ujërash dhe inertesh në disa lagje
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna dy ditët e fundit, në Përmet ka pasur vërshim ujërash dhe materiale inertesh duke rrezikuar, sigurinë e banorëve të zonës në lagjen Sede.
14:57 Dalja e lumit Vjosa nga shtrati, niveli i ujit kalon mbi urën e vjetër të Mifolit
Dalja e lumit Vjosa nga shtrati ka bërë që uji të kalojë mbi urën e vjetër të Mifolit. Deri në këto momente në Novoselë janë evakuuar 13 familje, pasi banesat e tyre u përmbytën nga reshjet e shiut.
Situata vijon të jetë e rënduar në Pogradec ku si pasojë e vërshimit të ujit të lumit Vërdovë është dëmtuar një pjesë e rrugës në unazën e qytetit. Sipas të dhënave qarkullimi i mjeteve vijon të mbetet me një korsi ndërsa rrezikshmëria mbetet e lartë për shkak se në këtë pjesë ndodhet edhe një shtyllë elektrike e tensionit të lartë e cila rrezikon të bjerë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.
Rreth 500 persona janë evakuuar nga zonat e përmbytura në Sukth e Katund të Ri, Durrës. Pak më herët u dha urdhri për evakuimin e banorëve të zonës pasi prurjet e larta sollën daljen nga shtrati të lumit Erzen, duke krijuar një situatë problematike në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri. Në disa segmente, uji ka kaluar mbi argjinaturë, ndërsa në pika të tjera është konstatuar çarja e saj, duke vërshuar në rrugë e banesa dhe përmbytur zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore.
Situata e krijuar nga reshjet e shiut do të jetë në fokus të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave. Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mëson se ditën e nesërme në orën 8:30, kjo mbledhje do të drejtohet nga kreu i ekzekutivit Edi Rama në kryeministri.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet në Novoselë, në një nga vendet që është prekur më së shumti nga përmbytjet. Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se Kryeministri do të ndërmarrë një paketë që do garantojë dëmshpërblimin për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
13:19 Dëbora bllokon automjetet në aksin Librazhd-Peshkopi, ende asnjë masë për pastrimin e rrugës
Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në shumë qarqe të vendit. Në aksin rrugor Librazhd-Peshkopi, në vendin e quajtur kthesa e Lunikut janë bllokuar automjetet për shkak të dëborës.
13:05 Berisha u bën thirrje banorëve në Novoselë: Evakuohuni sa më parë, lumi Vjosa ka rrezikshmëri
Edhe nga konferenca e kësaj të enjteje, kreu i PD Sali Berisha ka kërkuar nga qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pas përmbytjeve nga moti i keq në vend. Berisha u bëri thirrje banorëve të Novoselës të evakuohen menjëherë për shkak të prurjeve të shumta në lumin Vjosa.
Dimali është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në vend.Një qytetar shprehet se këto përmbytje mund të kenë ardhur nga dalja e Osumit.
Rreth 80 ha tokë bujqësore është nën pushtetin e ujit në njësinë administrative Cakran të bashkisë Fier. Dëmet në të mbjella janë tepër të mëdha ka pohuar kryeplaku i fshatit Selishtë, Ferrik Myftaraj, ndërsa ka theksuar se uji rrezikon të dalë në autostradën Levan- Tepelenë.
Astrit Hysenaj, 54 vjeç është viktima e parë nga moti i keq në vend. Hysenaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit të martën, ditën e përmbytjeve masive në Durrës. Ai punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe bashkia e Durrësit.
12:38 Përmbytjet në Fier, jepet urdhër evakuimi dhe për banorët e fshatit Ferras
Autoritetet civile në Fier kanë shpallur evakuim të menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Ferras, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet. Evakuimi po organizohet nga Bashkia Fier, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat e emergjencave civile, duke u dhënë prioritet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara.
12:18 Rrezikohen banesat, jepet urdhër evakuimi në Sukth dhe Katund i ri në Durrës
Si pasojë e përmbytjeve, bashkia e Durrësit ka dhënë urdhër evakuimi për banorët e Sukthit dhe të Katundit të Ri në Durrës. Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut përkatës, strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
11:49 Regjistrohet viktima e parë nga moti i keq në vend, ra në kanal teksa kthehej në shtëpi
Shënohet viktima e parë nga përmbytjet në Durrës. Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit. Një ditë më parë, kushëriri i tij kishte kallëzuar në polici mungesën e 54-vjecarit Astrit Hysenaj, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Hysenaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit të martën, ditën e përmbytjeve masive në Durrës. Ai punonte pranë ndërmarrjes komunale në plazh dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës.
11:46 Video-lajm/ Lumi Vjosa del jashtë kontrollit, banori merr qenin në krahë dhe e shpëton nga përmbytja
Ndërsa niveli i ujit të lumit Vjosa vijon të rritet, banorët e zonave pranë shtratit të lumit, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë nisur evakuimet parandaluese.
11:38 Situata nga moti i keq, policia bën thirrje: Ja akset ku duhet të përdorni zinxhirë
Për shkak të motit të keq, me reshje shiu dhe në disa zona edhe reshje dëbore, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrullat e Përgjithshme, njësitë “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në terren për menaxhimin e qarkullimit rrugor dhe për ndihmën ndaj qytetarëve.
Për shkak të përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Novoselë, në Bashkinë Vlorë.
11:27 Moti i keq në vend/ Anulohen lundrimet me traget Sarandë-Korfuz, shkak era e fortë dhe dallgët
Për shkak të motit të keq dhe i detit me dallgëzim 6 ballë sot nuk do të funksionojë linja e tragetit Korfuz-Sarandë dhe anasjelltas Sarandë-Korfuz.
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës, territori i Qarkut Dibër vijon të përballet me problematika të izoluara, ndërsa situata në përgjithësi paraqitet e menaxhueshme. Reshjet e shiut po vazhdojnë me intensitet të ulët, ndërsa dëbora ka nisur mbi 600 metra mbi nivelin e detit.
10:58 Reshjet dhe ngricat vështirësojnë qarkullimin në Bulqizë, të moshuarit më të rrezikuarit
Reshjet dhe temperaturat e ulëta kanë rritur rrezikun në qarkullim, veçanërisht për moshat e treta në Bulqizë. Siç shihet edhe nga pamjet, një pjesë e banorëve sfidojnë të ftohtin duke kaluar në mes të ujit që lidh Lagjen e Re me Lagjen e Vjetër, ndërsa një pjesë e rrugës është shembur për shkak të lagështirës dhe ngricave.
10:47 Reshjet e shiut në Berat/ Përmbyten 15 banesa në Dimal, evakuohen 6 familje
Reshjet e shiut me intensitet mesatar vijojnë në territorin e qarkut Berat. Sipas informacioneve të siguruara nga bashkitë dhe institucionet përkatëse, problematikat kryesore janë evidentuar si pasojë e përmbytjeve.
10:37 Përmbytjet në Qarkun e Durrësit, anulohet sërish mësimi në Universitetin Aleksandër Moisiu
Qarku i Durrësit vazhdon të jetë një nga qarqet më të prekura nga reshjet e shiut dhe përmbytjet. Për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet edhe sot në universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit nuk po zhvillohet mësim.
Reshjet shiut ia lanë vendin dëborës, e për pasojë ka sjellë probleme në qarkun e Kukësit. Korrespodenti i Top Channel, Bekim Lekica raporton se në disa shkolla të këtij qarku nuk po zhvillohet mësim.
10:30 Përmbytjet në vend, Ministria e Mbrojtjes me reagim zyrtar: Ja qarqet ku pritet të ketë problematika
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata më problematike si pasojë e reshjeve të dendura paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik të menjëhershëm.
10:28 Dalja nga shtrati i lumit Vjosa, bllokohet rruga që të çon në Selenicë, segmenti ‘Bishti i Malit’
Rruga që të çon në Selenicë, segmenti “Bishti i Malit”, është aktualisht e bllokuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa.
10:24 Lumi Erzen del nga shtrati/ Përmbyten disa banesa, një familje e evakuuar
Nga dalja e Erzenit janë përmbytur edhe disa banesa, ndërsa një familje është evakuuar. Ndërkaq situata në zonat problematike, sipas Prefektit të Qarkut, po shkon drejt normalizimit.
10:17 Moti i keq prek edhe Fierin, 27 banesa nën pushtetin e ujit nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati
Mëngjesin e sotëm 27 banesa në fshatin Ferras janë nën pushtetin e ujit dhe sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, nga dalja e shtratit të lumit Vjosë. Banorët pohojnë se situata filloi të bëhej alarmante duke filluar që nga mbrëmja e djeshme ndërsa kanë mundur të nxjerrin në rrugë bagëtitë dhe mjetet bujqësore.
Në afërsi të zonës së quajtur Guri i Kuq, në qytetin e Pogradecit, për shkak të vërshimeve të përroit të Saselishtes, uji ka nxjerrë në rrugën kryesore aluvione si pasojë e gërryerjeve.
Një anije cisternë me flamur Tanzanie ka ngecur në drejtim të fshatit Tale, ndërsa reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në disa zona të Qarkut Lezhë, duke shkaktuar përmbytje, bllokime rrugësh dhe evakuime familjesh.
09:38 Mot i keq në det, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla në Vlorë
Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike detare, Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar lundrimin e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës.
09:26 Zbardhen zonat malore të qarkut të Elbasanit, në disa akse kalohet vetëm me zinxhir
Gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë në të gjitha zonat malore të qarkut Elbasan. Pas ndërhyrjes, kalohet pa probleme aksi nacional Prrenjas-Qafë Thanë, ndërsa në aksion nacional Librazhd-Peshkopi dhe rrugët Elbasan-Gracen, Elbasan-Gjinar, Elbasan-Labinot Mal, Elbasan- Funare, kalohet vetëm me zinxhirë.
09:25 Qetësohet situata në Shkodër, pushojnë reshjet në pjesën më të madhe të qarkut
Situata në Shkodër duket se është e qëndrueshme, me reshjet e shiut që kanë qenë me intensitet të ulët, ndërsa në pjesën më të madhe të territorit kanë pushuar. Ndërkohë që problematikat e evidentuara mbeten të lokalizuara dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
09:13 Reshjet i lënë vendin dëborës, zbardhet qarku i Korçës. Lumi Devoll del nga shtrati
Mëngjesi i kësaj të enjteje e ka gjetur juglindjen e vendit me reshje dëbore, me intensitet nga i ulët në mesatar. Reshjet janë të pranishme në të gjitha bashkitë e qarkut Korçë, ndërsa intensiteti më i lartë raportohet në Dardhë, Voskopojë, Ersekë dhe në Qafë Thanë.
08:55 Reshje të dendura bore në Bulqizë, vështirësi në qarkullim
Pas reshjeve të dendura të shiut, vendin ja kanë lënë reshjeve të dëborës të shoqëruar me temperatura deri më minus 5 gradë.
Në Qarkun e Gjirokastrës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet. Aksi nacional Gjirokastër- Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë vazhdon të jetë i kalueshëm me një sens dhe lëvizja e automjeteve menaxhohet nga efektivët e policisë.
07:30 Reshjet e borës përfshijnë Kukësin, dëme në infrastrukturë dhe zona të izoluara
Pas 48 orësh reshje intensive shiu, territori i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës. Gjatë orëve të para të mëngjesit, qyteti i Kukësit është zgjuar i zbardhur, ndërsa temperaturat kanë zbritur nën 0 gradë Celsius.
Lumi Vjosa ka arritur pikën kritike ditën e sotme, ku niveli i ujit ka shkuar në rreth 9.2 metra mbi nivelin e detit, duke përbërë një rrezikshmëri të lartë për të gjithë banorët e Njësisë Administrative Novoselë.
07:11 Reshje të dendura shiu dhe dëbore, si parashikohet moti këtë të enjte
Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Top Channel