Emocione në Anfield/ Djemtë e Diogo Jotës shoqërojnë maskotat në ndeshjen Liverpool–Wolves, përballja e parë pas ndarjes së tij nga jeta

26/12/2025 18:56

Dinis dhe Duarte, dy nga tre djemtë e ish-sulmuesit të Liverpoolit dhe Wolverhampton Wanderers, Diogo Jota, do të shoqërojnë maskotat në fushë para fillimit të ndeshjes mes dy skuadrave në Anfield, këtë të shtunë.

Takimi i Premier League, që do të luhet në orën 15:00 GMT, do të jetë përballja e parë mes Liverpoolit dhe Wolves që nga ndarja tragjike nga jeta e futbollistit portugez, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë në muajin korrik, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, 25 vjeç.

Diogo Jota, 28 vjeç, iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 pas tre sezonesh të suksesshme me Wolverhampton. Me fanellën e “The Reds”, ai zhvilloi 182 ndeshje dhe shënoi 65 gola, duke kontribuar në fitimin e FA Cup dhe League Cup në vitin 2022, si dhe titullit kampion në Premier League sezonin e kaluar.

Në shënimet e programit për ndeshjen e fundit në shtëpi për vitin 2025, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, shprehu shpresën se dashuria dhe respekti që Jota vazhdon të gëzojë do t’i sjellin ngushëllim familjes së tij.

“Reflektimi mbi gjithçka që ka ndodhur gjatë 12 muajve të fundit sjell shumë emocione. Në këtë periudhë mendoj veçanërisht për familjen e Diogo Jotës, që do të përjetojë Krishtlindjen e parë pa të,” u shpreh Slot. “Shpresoj që ndjenja e dashurisë dhe vlerësimit që Diogo vazhdon të marrë t’u sjellë atyre pak qetësi.”

Gjatë karrierës së tij me Wolves, Jota shënoi 44 gola në 131 paraqitje, pasi fillimisht iu bashkua klubit anglez në formë huazimi nga Atletico Madrid në vitin 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB