Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, e ka vlerësuar barazimin 1-1 ndaj Tiranës si një rezultat pozitiv, edhe pse përballë ishte skuadra e fundit e tabelës.

Ai theksoi se ekipi i tij ishte më afër fitores dhe tregoi përpjekje maksimale gjatë gjithë ndeshjes. “Sot ishim të gatshëm të bënim maksimumin. Përballë ishte Tirana, një emër i madh dhe një derbi i vërtetë. Nuk jam i kënaqur me një pikë, por jam krenar për djemtë, pasi kemi 33 pikë dhe vendi i dytë nuk është pak,” tha trajneri.

Gvozdenoviç shpjegoi se sfida ishte e vështirë për shkak të formacionit të Tiranës: “Ata luajtën me 10 lojtarë mbrapa, jo me 5, dhe nuk është e lehtë të gjesh rrugën e golit. Luajtëm me 3-4-3 dhe krijuam disa raste, sidomos me Diallo dhe Tsague. Në pjesën e dytë ishim më ofensivë, me Kasan që ndihmonte sulmin, dhe lëvizjet e stafit ishin të duhura.”

Ai shtoi se kampionati shqiptar është i fortë dhe çdo pikë ka rëndësi: “Kundër Bylisit asnjë ekip nuk fiton aty, as Dinamo, as Vllaznia. Nuk ka skuadra të lehta në kampionat, çdo javë është e vështirë dhe çdo pikë ka vlerë.”

Gvozdenoviç theksoi se skuadra po përpiqet të maksimizojë mundësitë, duke treguar agresivitet dhe përqendrim edhe kur kundërshtari mbyllet fort në mbrojtje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB