Në horizont duket se po shfaqet një trekëndësh merkatoje ku përfshihen Juventusi dhe Interi. Zonja e Vjetër kërkon të ketë në radhët e saj Davide Frattesi që klubi zikaltër është gati ta lejojë për një shifër jo më të ulët se 30 milionë euro.

Por në anën tjetër, vetë Interi i ka hedhur sytë nga qendërmbrojtësi Tarik Muharemovic që po bën një paraqitje shumë të mirë në këtë sezon me fanelën e Sassuolos dhe të cilin kjo skuadër është gati ta japë për 25 milionë euro. Nga një shitje e mundshme e Muharemovic përfiton edhe Juventus që siguron 50% të vlerës së shitjes gjë që do të ulë çmimin e kartonit të Frattesit.

Megjithatë, një skenar i tillë nuk është i lehtë, por që mund të shndërrohet në tratativa mes të gjitha palëve. Që Spalletti ka kërkuar mesfushorin zikaltër, nuk është një sekret. Trajneri toskan dëshiron një futbollist që të jetë në gjendje që të hyjë në ingranazhet e lojës së Juventusit dhe të jetë gjithnjë i pranishëm më zonën kundërshtare dhe ka kërkuar Frattesin i cili me Spallettin në stolin e Kombëtares italiane ka shënuar 7 gola në 22 ndeshje. Në anën tjetër, vetë futbollisti është parakaluar në hierarkinë e Interit nga Sucic dhe Zielinski dhe ka vendosur të ndryshojë ambient për të luajtur me më shumë vazhdimësi dhe ndoshta edhe për të fituar një vend në skuadrën e Italisë për Botërorin 2026, gjithnjë nëse Të Kaltrit do të mund të kualifikohen. Me pak fjalë; Juventus do Frattesin dhe Frattesi do Juventusin e megjithatë kjo nuk mjafton ende për të mbyllur këtë tratativë, sidomos kur sheh që në anën tjetër janë Marotta dhe Ausilio që e dinë që mund të përfitojnë shumë të ardhura nga ky futbollist.

Dhe në këtë pikë hyn në skenë Muharemovic që mund të jetë kyçi i kësaj cështjeje sepse mbrojtësi i Sassuolos pëlqehet nga Chivu dhe që konsiderohet si elementi i duhur për të rinovuar repartin e prapavijës duke parë se është 22 vjeç. Sassuolo kërkon për të 25 milionë euro dhe kjo është një shifër e konsiderueshme, por mbrojtësi boshnjak është gati dhe po rritet cdo ditë e më shumë në aspektin futbollistik kështu që edhe çmimi i kartonit të tij duke parë edhe paraqitjet në fushën e lojës vetëm sa do të rritet. Kështu që për Interin është ai momenti: o tani o kurrë. Alternativa? Të lejojë largimin e Frattesit në formë huazimi me detyrim blerjeje në rast kualifikimi të Juventusit në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB