Megi Doçi, sulmuesja e Kombëtares shqiptare dhe e Vllaznisë, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Topi i Artë” për vajza 2025.

Ky është trofeu i tretë i këtij lloji në karrierën e saj, duke e bërë atë një nga futbollistet më të spikatura në historinë e futbollit të vajzave në vendin tonë.

Në garë për këtë çmim të rëndësishëm ishin edhe futbollistet Xhesika Ndoj (Gramshi), Arbiona Bajraktari (Vllaznia) dhe Xhulia Xhindole (Apolonia). Trofeu iu dorëzua Megi Doçit nga anëtarja e KE-së, Anila Basha.

Pas marrjes së çmimit, mes emocionesh, Megi Doçi u shpreh shumë e lumtur për rikthimin te fitimi i “Topit të Artë” për vajza, duke ia dedikuar këtë arritje familjes së saj dhe klubit të Vllaznisë.

Ndërkohë më herët Doçi kishte marrë edhe trofeun “Këpuca e Artë“ për vajza për edicionin futbollistik 2024-2025.

Ky trofe nuk ka pasur nevojë për votim pasi është përcaktuar në bazë të golave të shënuar përgjatë këtij sezoni. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënueseve në kategorinë e vajzave.

Në mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, që po zhvillohet mbrëmjen e sotme në TKOB, ky trofe iu dorëzua Doçit nga ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB