“PD në skizofreni politike”, analisti në ‘Top Story’: Sulmojnë SPAK që i mban gjallë politikisht

15/12/2025 22:41

Analisti Ervis Iljazaj i ftuar sonte në ‘Top Story’ nga Grida Duma komentoi gjendjen aktuale të Partisë Demokratike.

Sipas tij partia më e madhe është në një skizofreni politike sepse bën politikë vetëm me të akuzuarit e SPAK. “Nuk e di se çfarë do bënte PD po mos të ishte SPAK”, shprehet Iljazaj.

Ai tha se kjo forcë politike është ne kundërshtim me veten sepse nga njëra anë kërkojnë largimin e Ballukut sepse është marrë nën hetim nga SPAK, ndërsa nga ana tjetër Berishës i cili ka tre vite nën hetim, i vënë në dispozicion të gjithë partinë për të protestuar ndaj SPAK që i mban gjallë politikisht.

“PD është në një skizofreni politike. Kjo është një parti që bën politikë vetëm me të akuzuarit e SPAK. Nëse nuk është kjo skizofreni nuk e kuptoj. Nuk e di çfarë do bënte PD po mos të ekzistonte SPAK. Ka 2-3 vite që merret vetëm me të akuzuarit e SPAK ndërkohë thonë që është organizatë kriminale. E gjithë kjo është një inkoherencë dhe skizofreni politike.

Nga njëra anë kërkojnë largimin e Ballukut sepse është nën hetim, ndërsa lideri i tyre ka tre vite që është nën hetim dhe madje kjo parti, kur ai paraqitet në SPAK i vë në dispozicion të gjithë partinë për të sulmuar këtë drejtësi që i mban gjallë.

Nuk kam parë parti që për 12 vite ka 10 humbje rresht, mund të jetë rekord në Europë. Dhe po për 12 vite kanë të njëjtin lidership. Ore këta njerëz që janë aty çfarë suksesesh kanë pasur. Më duket sikur i është bërë gjendje ekzistuese opozitarizmi. Dhe kur vjen puna që dikush thotë të zgjohemi ata i sulmojnë. Nëse kjo parti nuk reformohet tani, mendoj që është një parti që sa vjen e do reduktohet. Pra këta që duan që partia të zgjohet dhe të ketë ndryshim po bashkëpunojnë me Ramën, këta që e kanë lënë partinë 12 vite në opozitë nuk kanë bërë asnjë gabim”, shprehet Iljazaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB