Ish-pronari i Tottenham Hotspur, Lord Alan Sugar, ka bërë thirrje që klubi londinez të emërojë Jurgen Klopp si trajner të ri, mes presionit në rritje ndaj stafit aktual teknik.

Tottenham renditet në vendin e 11-të në Premier League, pas humbjes 3-0 ndaj Nottingham Forest të dielën, ndërsa trajneri Thomas Frank ka vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit.

Në një postim në rrjetin social X, Lord Sugar shkroi se me pasurinë e madhe të familjes Lewis, pronare e klubit, punësimi i Klopp do të ishte një situatë “fitore për të gjithë”. “Shumë para për lojtarë dhe një trajner i madh. Kush është dakord?”, shkroi ai.

Jurgen Klopp njoftoi publikisht tërheqjen nga drejtimi i skuadrave pas largimit nga Liverpool në korrik të vitit 2024, ndërsa në janar u emërua Drejtor Global i Futbollit te Red Bull. Mediat kanë raportuar se kontrata e tij përfshin një klauzolë që i lejon atij të aplikojë për postin e trajnerit të kombëtares gjermane, nëse pozicioni lirohet, megjithëse nuk dihet nëse ekziston një klauzolë e ngjashme për klube.

Klopp ka fituar dy tituj të Bundesligës me Borussia Dortmund, si dhe Premier League dhe Champions League me Liverpool.

Lord Sugar ishte pronar i Tottenhamit nga viti 1991 deri në 2001, periudhë në të cilën klubi kaloi nga vështirësi të mëdha financiare në një situatë shumë më të qëndrueshme. Aktualisht, Tottenham është në pronësi të grupit investues ENIC, i kontrolluar nga familja Lewis, e cila ka investuar rreth 1 miliard paund në ndërtimin e stadiumit të ri, të hapur në vitin 2019.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB