Çudira nga Serie A, Pioli mund të rikthehet në stolin e klubit që sapo e shkarkoi

15/12/2025 11:23

Fiorentina po rishqyrton seriozisht të ardhmen e trajnerit Paolo Vanoli, pas humbjes në shtëpi ndaj Hellas Veronës, e nënta në 15 ndeshje të Serie A.

Situata në kampin viola po bëhet gjithnjë e më shqetësuese dhe klubi po mendon masa urgjente për të ndryshuar një rrjedhë që rrezikon të komprometojë të gjithë sezonin.

Drejtuesit kanë vendosur ta dërgojnë skuadrën në një grumbullim me afat të pacaktuar, në përpjekje për të gjetur një reagim të menjëhershëm, duke nisur nga ndeshja e ardhshme kundër Udineses në “Artemio Franchi”. Friulianët do të mbërrijnë në Firence me moral të lartë pas fitores ndaj Napolit, çka e bën sfidën edhe më delikate për Violan.

Ndërkohë, në Viola Park është duke u zhvilluar një takim vendimtar për të diskutuar pozicionin e Vanolit. Përveç rezultateve negative, trajneri është kritikuar ashpër si nga tifozët, ashtu edhe nga drejtuesit e klubit. Në pesë ndeshje në krye të Fiorentinës, ish-trajneri i Torinos ka grumbulluar vetëm dy pikë, me tre humbje radhazi në takimet e fundit.

Përtej shifrave, Vanoli po kritikohet edhe për mungesë guximi në aspektin taktik. Veçanërisht, ai nuk ka tentuar ndryshime në repartin e mbrojtjes, ku kalimi nga skema me tre mbrojtës në atë me katër shihet si një zgjidhje e mundshme. Vetë trajneri ka deklaruar së fundmi se taktikat vijnë në plan të dytë dhe se prioriteti i tij është të “gjejë klikimin e duhur në mendjen e lojtarëve”. Ky reagim u pa në Ligën e Konferencës me fitoren ndaj Dynamo Kyiv, por pa asnjë ndikim pozitiv në kampionat.

Teksa e ardhmja e Vanolit mbetet e paqartë, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e zëvendësuesve të mundshëm, çka do të nënkuptonte trajnerin e tretë të sezonit për Fiorentinën. Në listën e presidentit Rocco Commisso përflitet Stefano Pioli, i cili është ende nën kontratë me klubin deri në vitin 2028 dhe mund të rikthehet në mënyrë sensacionale, vetëm disa javë pas shkarkimit të tij.

Alternativa të tjera janë Davide Ballardini dhe Carmine Gautieri, të dy të pranishëm së fundmi në stadiumin “Franchi”, si dhe Giuseppe Iachini, i cili në të kaluarën arriti ta shpëtojë ekipin nën drejtimin e Commisso-s. Nuk përjashtohet as Daniele Galloppa, trajneri aktual i Primavera-s, që ka qenë tashmë në stol në Ligën e Konferencës në ndeshjen kundër Mainz, në periudhën e tranzicionit mes Piolit dhe Vanolit.

Për Paolo Vanolin, koha duket se po mbaron. Vetëm një fitore ndaj Udineses – nëse do të vazhdojë të ulet në stol – mund t’i japë një shans të fundit për të ringjallur aventurën e tij me fanellën viola. Në të kundërt, shkarkimi i tij duket pothuajse i pashmangshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta