Jordan Henderson shënoi pas 4 vitesh në Premier League, golin ia dedikoi të ndjerit Diogo Jota
Deklaratat enigmatike të Enzo Maresca-s pas fitores së Chelsea-t ndaj Evertonit kanë shkaktuar zhurmë të madhe në ambientin blu, duke nxjerrë në pah pakënaqësinë e trajnerit italian ndaj mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e klubit.
Chelsea i dha fund serisë prej katër ndeshjesh pa fitore me suksesin 2-0 ndaj Evertonit, por pavarësisht rezultatit pozitiv, Maresca hodhi akuza të forta, duke pranuar se 48 orët e fundit kanë qenë më të vështirat që nga momenti kur mori drejtimin e skuadrës.
“Që kur kam ardhur te Chelsea, këto kanë qenë 48 orët më të këqija, sepse shumë njerëz nuk na mbështetën, as mua dhe as ekipin”, deklaroi trajneri, duke shmangur emra konkretë, por duke lënë të kuptohet se kritikat ishin të drejtuara nga hierarkia e klubit.
Sipas mediave angleze, komentet e Maresca-s lidhen me mungesën e një mbështetjeje të qartë nga drejtuesit në javët e fundit, ndryshe nga periudha e vështirë në fillim të sezonit, kur besimi ndaj tij ishte shprehur publikisht. Në momentin e deklaratave, bashkëpronari i klubit, Behdad Eghbali, ndodhej jashtë vendit, ndonëse zakonisht nuk mungon në ndeshjet e skuadrës.
Trajneri italian theksoi se fansat nuk janë pjesë e problemit, duke shprehur mirënjohje të plotë për ta. “I dua tifozët dhe jemi shumë të kënaqur me mbështetjen e tyre”, shtoi ai.
Ky nuk është episodi i parë i tensioneve mes Maresca-s dhe drejtuesve të Chelsea-t. Më herët gjatë sezonit, pas dëmtimit të Levi Colwill, trajneri kishte kërkuar publikisht afrimin e një mbrojtësi qendre, kërkesë që nuk u mbështet nga drejtuesit sportivë.
Chelsea, nga ana e saj, ka minimizuar zërat për një përçarje të brendshme, duke i cilësuar fjalët e Maresca-s si një reagim emocional pas presionit të rezultateve negative. Megjithatë, deklaratat e trajnerit sugjerojnë se mes palëve ekziston një tension i pashprehur hapur.
Maresca pritet të dalë sërish para mediave në prag të çerekfinales së Carabao Cup ndaj Cardiff-it, ku mbetet për t’u parë nëse do të zbusë tonet apo do të thellojë më tej mesazhin e tij ndaj drejtuesve të klubit.
Top Channel