Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, reagon Ambasada Gjermane: Suksese, mbështetje për pavarësinë e standardeve më të larta të drejtësisë
Filmimet e turistëve të huaj në udhëtimet e tyre në sajtet aerologjike të Shqipërisë në parkun e qytetit antik në Finiq kanë ngjallur debat.
Disa buldozerë u filmuan duke gërmuar mbi rrënoja antike dhe fillimisht u mendua se ishin jenë kërkues thesaresh që po shkatërronin sitin kulturor.
Top Channel investigoi dhe zbuloi se pas gërmimeve të kryera ditët e fundit në Parkun Antik të Finiqit, nuk qëndrojnë thesarkërkues, siç denoncuan fillimisht turistët, por punonjës të shtetit, të cilët po gërmonin në mes të parkut arkeologjik me mjete të rënda.
Në këtë zonë të mbrojtur ka nisur projekti “Restaurimi dhe konsolidimi i murit rrethues”, me një vendim të datës 25 korrik 2025 të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pas kërkesës së bërë nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore. Institucioni përgjegjës për zbatimin e punimeve është Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë.
Pikëpyetjet janë të mëdha, jo për faktin që është dhënë leje për restaurimin e murit rrethues të sitit arkeologjik, por për mënyrën se si po kryhen këto ndërhyrje. Lejimi i mjeteve të rënda në zemër të parkut antik rrezikon seriozisht integritetin e sitit, duke cenuar shtresat arkeologjike të ekspozuara dhe strukturat antike që janë zbuluar me kujdes ndër vite.
Situata problematike u përforcua edhe më shumë nga fakti se rruga që të çon drejt sitit arkeologjik ishte totalisht e bllokuar. Ekipi i Top Channel eci për afro 30 minuta në këmbë, për të mbërritur në vendin e punimeve dhe për të parë nga afër situatën. Në terren u panë relike të hapura e të ekspozuara në shesh, ndërsa mjetet e rënda ishin pozicionuar pikërisht në mes të parkut, aty ku arkeologët shqiptarë dhe të huaj kanë punuar për gati një dekadë vetëm me mjete dore, për të shmangur çdo dëmtim të sitit.
Ndërkohë, Bashkia e Finiqit dhe instancat e tjera vendore deklaruan për Top Channel se nuk kishin asnjë dijeni për ndonjë ndërhyrje të tillë të nisur në parkun antik.
Por a rrezikon kjo mënyrë ndërhyrjeje punën gati 10-vjeçare të arkeologëve? Përgjigjja është e qartë sipas arkeologut Halil Shabani, i cili e cilëson këtë praktikë si të patolerueshme, duke theksuar se metoda të tilla nuk zbatohen në asnjë vend ku respektohen standardet e konservimit dhe restaurimit arkeologjik.
Edhe ministri Blendi Gonxhe ka reaguar ndaj pretendimeve të turistëve, duke theksuar se në Finiq po zhvillohen punime të miratuara restaurimi, të cilat po kryhen sipas standardeve dhe procedurave ligjore.
Gonxhe sqaron se “Konsideruar peshën e rëndë të gurëve ciklopikë të rrëzuar, në raste të tilla, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, plotësisht në përputhje me normat dhe kriteret e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht këto mjete dhe veprimtari janë keqinterpretuar si gërmime të paligjshme, ndërkohë që ato janë pjesë e procesit të dokumentuar të restaurimit”.
Top Channel