Rritet tensioni te Liverpool, Carragher sulmon sërish Salah: Ka planifikuar çdo gjë bashkë me agjentin e tij

09/12/2025 18:00

Tensioni te Liverpool po rritet, teksa Jamie Carragher ka goditur sërish Mo Salahn, pak orë pasi ylli egjiptian publikoi një foto nga qendra stërvitore e kampionëve në fuqi.

Liverpooli ndodhet në Itali për sfidën e sotme ndaj Inter Milanit në Europë, por Salah, 33 vjeç, u la jashtë skuadrës pas intervistës së bujshme që dha pas barazimit me Leeds-in të shtunën. Në atë deklaratë, ai pretendoi se klubi e ka hedhur “nën autobus” dhe pranoi se marrëdhënia me trajnerin Arne Slot është prishur.

Ndërsa ekipit po udhëtonte drejt Milanos, Salah publikoi në Instagram një selfie nga një palestër bosh në Melwood – një veprim që ndezi sërish reagime të forta në Angli.

Carragher, i cili u njoftua për postimin, reagoi menjëherë në X, duke shkruar: “Nuk jam i sigurt nëse kam dashur Liverpoolin të fitojë një ndeshje më shumë se sot për një kohë të gjatë!”

Kjo është goditja e dytë e Carragher ndaj Salahut brenda pak orësh. Në emisionin Monday Night Football të Sky Sports, ish-mbrojtësi i Liverpoolit e kritikoi ashpër sulmuesin, duke e cilësuar sjelljen e tij pas ndeshjes si “të turpshme”.

Carragher tha: “Nuk ishte një shpërthim emocional. Sa herë që Salah ndalon në mixed zone – gjë që ka ndodhur katër herë në tetë vjet – gjithçka është e planifikuar mes tij dhe agjentit për të shkaktuar maksimumin e dëmit dhe për të forcuar pozicionin e vet.”

Ai kujtoi se Salah kishte vepruar njësoj një vit më parë, duke ushtruar presion te drejtuesit e klubit në momentin kur Liverpool po kryesonte ligën.

Sipas Carragher, ndalimi i Salahut për të folur në mixed zone në Elland Road këtë fundjavë ishte i qëllimshëm.

“Ai ka zgjedhur këtë moment – pas një rezultati të keq dhe një goli të pësuar në minutën e fundit – për të goditur trajnerin dhe ndoshta për ta larguar. Kështu e pashë unë,” tha ai.

Me skuadrën në krizë dhe raportet Salah–Slot të tensionuara, ndeshja e sotme ndaj Interit pritet të jetë një nga më të ndezurat e sezonit për Liverpoolin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta