Fiks Fare/ Shtëpi të rrënuara, njerëz të braktisur, drama që nuk i sheh askush. Finiqi thërret për ndihmë

05/12/2025 21:00

Në fshatrat e Finiqit, shirat e ditëve të fundit nuk morën vetëm çatitë. Morën qetësinë, morën shtëpitë, morën jetën dhe sigurinë e dhjetëra familjeve që sot jetojnë mes rrënojave, frikës dhe një heshtjeje të rëndë institucionale.

Aty ku duhej të kishin mbërritur ndihma, ka mbërritur balta. Aty ku duhej të ishin shteti dhe strukturat, ka mbërritur vetëm vetmia.

Fiks Fare në Brajlat: “Sapo e mbarova shtëpinë… tani ma mori uji”

Në fshatin Brajlat të Finiqit, rrëshqitjet e tokës kanë copëtuar rrugën, kanë çarë muret dhe kanë detyruar banorë të largohen natën, me rrobat e trupit. Manthjo Kaçi pret Fiksin në derën e një banese që nuk është më e tij. Shtëpia ka
lëvizur, dyshemeja është ulur, muri është përkulur si të ishte prej letre.
Bashkia e ka evakuuar atë dhe bashkëshorten. Por evakuimi nuk është zgjidhje. Evakuimi është thjesht të të thonë “ik nga shtëpia jote, tani shiko ku do jetosh”. Me lot në sy, Manthjo thotë: “Sapo e kisha mbaruar shtëpinë… tani ma mori uji.
Gruaja ime ka kancer. Po jetojmë te vëllai, por nuk mund të rrimë gjithë jetën atje. Ju lutem, na ndihmoni.”
Drama nuk mbaron këtu. Në të njëjtin fshat, edhe Niko është prekur rëndë. Shtëpia e tij u mbyll përgjithmonë pas reshjeve. Ai dhe bashkëshortja sot flenë në një dhomë të xhaxhait. Zoti Niko flet me vështirësi, jo se s’do, por sepse ka kaluar një operacion në kokë dhe zëri e tradhton. Por dhimbja shihet. Mosbesimi shihet. Braktisja shihet.

Dhivër/ Një jetë e mbetur nën rrënoja

Në fshatin Dhivër, historia bëhet akoma më e rëndë. Grigori, një person me probleme të shëndetit mendor dhe pa asnjë njeri në këtë botë, jeton në një shtëpi të gjysmë-rrënuar, me çati që pikon dhe dhoma të mbushura me lagështi. Kur Fiks Fare trokiti, ai nuk hapi derën. Ndoshta nga frika, ndoshta nga trishtimi, ndoshta sepse nuk pret më askënd.
Pamja është e frikshme. Gjysma e shtëpisë është shembur. Bashkia ka bërë një ambient të vogël që të mos flejë në rrugë… por çatia pikon, lagështia e ka pushtuar. Ai nuk ka familjarë. Ky njeri duhet ndihmuar tani.
Në Finiq ka fshatra të tërë të shkatërruar. Ka të moshuar që nuk mund të largohen. Ka të sëmurë pa trajtim. Ka familje që nuk kanë më çfarë të quajnë “shtëpi”. Por nuk ka këmbë që troket në derën e tyre. Nuk ka institucion që të qëndrojë pranë tyre. Nuk ka plan, nuk ka ndihmë, nuk ka zgjidhje. Finiqi ka njerëz që duan të jetojnë, por sot nuk kanë më shtëpi ku të jetojnë.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta