“Mos na i merrni fëmijët”/ Nëna e Martin Canit reagon pas vdekjes së adoleshentit nga Durrësi: M’u trondit shpirti!
Një nënë nga Dimal ka denoncuar në emisionin Fiks Fare se djali i saj, nxënës i klasës së gjashtë në shkollën 9-vjeçare “Sali Zhuka”, është viktimë e bullizimit prej tre vitesh, pavarësisht se ka ndërruar disa shkolla në përpjekje për të gjetur një ambient më të sigurt.
Sipas saj, bullizimi ka nisur që në klasën e tretë, kur fillimisht një mësuese e ka quajtur “budalla”, ndërsa më pas bashkëmoshatarët kanë filluar ta ofendojnë me epitete të rënda si “pederast”, “budalla”, apo “ke mamin që del rrugëve”. Nëna e djalit tregon se për situatën ka shkuar vazhdimisht në Zyrën Vendore Arsimore Dimal, por nuk ka marrë asnjë zgjidhje.
Ajo rrëfen se edhe mësuesit dhe psikologia e shkollës e kanë pranuar se djali bullizohet, por situata ka vijuar pa asnjë ndërhyrje efektive. Pasi djali ka ndërruar disa shkolla, sipas nënës problemi është bërë edhe më i rëndë: “Fëmijët takohen përsëri me njëri-tjetrin dhe tanimë e njohin kudo me të njëjtat etiketime”. Në mbështetje të denoncimit, zonja ka vënë në dispozicion video ku shihet djali duke u ofenduar dhe goditur nga bashkëmoshatarët, materiale që ajo thotë se “nuk mund t’i tolerojë më, sidomos kur i përmendin nënën”.
Zyra Vendore Arsimore Dimal fillimisht e pranon bullizimin, pastaj e mohon me shkrim.
Gazetarët kanë pyetur edhe drejtorin e Zyrës Vendore Arsimore Dimal, i cili fillimisht ka pranuar problemin dhe ka pohuar se fëmija bullizohet. Madje, ai ka akuzuar nënën se ka “kontribuar në destabilitet” duke vendosur ta transferojë djalin në disa shkolla të ndryshme.
Por, pas kërkesës zyrtare të paraqitur me email, drejtori nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Në përgjigjen me shkrim, ai nuk e njeh më bullizimin si problem, duke pohuar se situata ka ardhur për shkak të “raporteve të tensionuara të nënës me mësuesit”, çka sipas tij ka sjellë edhe ndryshimet e shpeshta të shkollës. Megjithatë, struktura e ZVA premton se rasti do të ndiqet më tej nga njësia për mbrojtjen e fëmijës, edhe pse deri tani familja thotë se nuk ka marrë asnjë masë konkrete.
Top Channel