Premier League/Të gjithë të çmendur për yllin e Bournemouth, por garën duket se po e fiton Manchester City
Santi Gimenez mund të largohet nga Milani që në muajin janar. Përtej dëmtimit, futbollisti nuk është i kënaqur si po i shkojnë gjërat te kuqezinjtë, me Allegrin që ka në mendjen e tij dyshen Leao-Pulisic për sulmin me Nkunku si alternativë dhe tani po mendon për një qendërsulmues të fortë për sesionin e ardhshëm të merkatos.
Sulmuesi meksikan ka admirues në Premier League, me Sunderland dhe West Ham që duket se kanë shfaqur interesin dhe një kalim në futbollin anglez pëlqehet edhe nga vetë futbollisti. Ndërkaq nuk ka munguar reagimi i agjentes së Gimenez, Rafaela Pimenta që ka deklaruar se nuk ekziston ideja e largimit të sulmuesit nga kuqezinjtë.
‘Nuk habitem që kërkohet në Premier League-tha Pimenta-që ka 1, 2 apo 3 klube të interesuar më duket diçka normale, por ideja që ai të lërë Milanin nuk ekziston. Santi erdhi te Milan në janar dhe erdhi te një Milan që nuk ishte në krye të klasifikimit për të mos thënë që ishte në vështirësi. Të gjitha faktet, mesazhet që kam marrë nga Milani gjithnjë kanë qenë pozitive. Nuk ka pasur asnjë moment kur Milani të më ketë thënë që diçka nuk shkonte. Sa herë që media flet shumë, marr në telefon te Milani dhe Milani më përgjigjet gjithnjë: ‘Jo jemi të qetë, gjithçka është në rregull, faleminderit’
Gjithsesi, pavarësisht kësaj, Milanit po lëviz për të gjetur një alternativë.Në listën e dëshirave të kuqezinjve janë disa emra mes të cilëve edhe ai i Niclas Fullkrug, sulmuesit 32 vjecar gjerman që edhe vitin e kaluar ishte në shënjestrën e Milanit. Fullkrug nuk ka shumë minuta te West Ham dhe futbollisti dëshiron që të rifitojë një vend në kombëtaren gjermane për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Emri tjetër që po përmendet në ambientet kuqezi, sipas ‘Corriere Della Sera’ është ai i sulmuesit të Parmës, Pellegrino, protagonist në këtë sezon me skuadrën emiliane. Argjentinasi, që ka një shtatlartësi 1.91 m konsiderohet futbollisti ideal për të nxjerrë skuadrën para dhe për të garantuar një rendiment të mirë në zonën e ekipeve kundërshtare. Por këtu duhet parë vullneti i Parmës, sa dëshirë ka ajo që të humbasë një prej elementëve të saj më të rëndësishëm në luftën për mbijetesë në Serie A
Top Channel