Lojtari i vitit sipas tifozëve në Premier League, është mesfushori i Arsenalit Declan Rice
Newcastle United pritet të rikthejë interesin për portierin e Manchester City, James Trafford, i cili thuhet se dëshiron të largohet nga “Etihad” pas vetëm pak muajsh.
Trafford, 23 vjeç, iu bashkua City-t në korrik në një marrëveshje prej 27 milionë paundësh nga Burnley, me kampionët që parakaluan pikërisht Newcastle-in për firmën e tij. Atij iu premtua se do të ishte zgjedhja e parë e portës dhe nisi titullar tre ndeshjet e para të Premier League këtë sezon.
Por situata ndryshoi shpejt, pasi Pep Guardiola nënshkroi edhe me Gianluigi Donnarumman nga PSG, duke e zhvendosur Trafford në pankinë. Portieri i ri ka mbetur rezervë dhe sipas The Mail, tashmë ai po shqyrton seriozisht një largim para merkatos së janarit.
“Magpies” pritet të rikthehen me një ofertë muajin e ardhshëm, pasi në verë u detyruan të sillnin Aaron Ramsdale me huazim. Kërkimi për një portier afatgjatë vazhdon, dhe Trafford shihet si profili ideal.
Situata ndërlikohet edhe nga paralajmërimi i trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, i cili ka bërë të ditur se për Botërorin e verës së ardhshme do të thirren vetëm lojtarë që luajnë rregullisht në klubet e tyre. Trafford shpreson të rivalizojë Jordan Pickfordin për vendin e titullarit dhe kërkon minutazh të garantuar.
Deri tani ai ka zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje me City-n, me të fundit që ishte humbja 2-0 ndaj Bayer Leverkusen javën e kaluar në Champions League.
Manchester City mund të përballet edhe me largimin e portierit të katërt, Stefan Ortega, i cili nuk po udhëton as me skuadrën në transfertë dhe renditet pas Marcus Bettinellit në hierarki. Kjo situatë mund ta detyrojë Guardiolan të kërkojë një tjetër portier në merkaton e dimrit.
Trafford, i cili kaloi gjashtë vite në akademinë e City-t para se të dërgohej në huazime te Accrington Stanley dhe Bolton, duket se është në prag të një tjetër aventure — dhe Newcastle është gati të shfrytëzojë momentin.
Top Channel