U ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Liverpool-in, mesfushori brazilian “shpërthen” ndaj Federatës Angleze: Qesharake

01/12/2025 12:52

Mesfushori i West Ham United, Lucas Paquetá, ka kritikuar ashpër Federatën Angleze të Futbollit (FA) pas kartonit të kuq të marrë në humbjen 2-0 ndaj Liverpool të dielën.

Braziliani akuzoi institucionin se nuk i ka ofruar asnjë mbështetje psikologjike gjatë hetimit të gjatë ndaj tij.

Paquetá u përjashtua në minutat e fundit të ndeshjes në “London Stadium”, pasi mori dy kartonë të verdhë radhazi për kundërshtim ndaj vendimeve të arbitrit.

Futbollisti 28-vjeçar u shpall i pafajshëm më herët këtë vit nga FA për katër akuza të pretenduara për manipulim të basteve, një proces që zgjati gati dy vite.

“Është qesharake të lejosh që jeta dhe karriera jote të ndikohen për dy vite pa asnjë mbështetje psikologjike nga federata,” shkroi Paquetá në platformën X.

“Ndoshta ky sjellje ‘qesharake’ është thjesht pasojë e gjithçkaje që kam duruar dhe, siç duket, më duhet të vazhdoj të përballoj. Më vjen keq nëse nuk jam perfekt,” shtoi ai.

Postimi i tij erdhi në përgjigje të një videoje të publikuar nga Sky Sports, e cila e përshkruante reagimin e tij si “sjellje të papranueshme”.

Paquetá publikoi edhe një ndjesë për tifozët dhe shokët e skuadrës, megjithëse këmbënguli se veprimet e tij nuk justifikonin përjashtimin.

“E kuptoj që tani duhet të dukem si i keqi. Është e vështirë të jetosh me gjithçka që ka ndodhur në jetën dhe psikikën time,” shkroi ai.

“Do të vazhdoj të përpiqem që kjo të mos më ndikojë më tej. Kjo nuk e justifikon dëbimin tim, për të cilin kërkoj ndjesë ndaj tifozëve dhe bashkëlojtarëve.”

Më 31 korrik, Paquetá u shpall i pafajshëm për akuzat se kishte tentuar të merrte qëllimisht kartonë në ndeshjet kundër Leicester City, Aston Villa, Leeds United dhe Bournemouth midis viteve 2022 dhe 2023. Ai rrezikonte një pezullim të përjetshëm, ndërsa vazhdoi të mohonte kategorikisht akuzat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta