Revoltë tek Tottenham, Igor Tudor tashmë ka edhe lojtarët kundër, ndërkohë që pritet shkarkimi…
Sheffield Wednesday është goditur me një tjetër dënim të rëndë nga EFL, duke humbur gjashtë pikë të tjera në kampionat, pavarësisht se tashmë ndodhej në kuotë negative.
Dënimi e çon ekipin nga -4 në -10 pikë, duke e thelluar edhe më shumë krizën e klubit.
Skuadra e fundit e Championship-it ishte dënuar më herët me 12 pikë pas futjes në administrim në tetor. Me penalizimin e ri, situata bëhet dramatike: Sheffield Wednesday tani ndodhet 27 pikë larg zonës së mbijetesës, ku Swansea City mban vendin e 21-të me 17 pikë. Madje, klubi është 23 pikë pas Norwich City, skuadra e vendit të parafundit.
Në deklaratën e EFL thuhej: “Sheffield Wednesday FC do të dënohet me gjashtë pikë me efekt të menjëhershëm për shkelje të shumta të rregulloreve të EFL që lidhen me detyrimet e pagesave. Ish-pronari i klubit, Dejphon Chansiri, ndalohet të jetë pronar apo drejtor i ndonjë klubi të EFL për tre vjet.”
Sipas EFL, sanksionet u vendosën pasi palët ranë dakord për masën disiplinore dhe vendimi u ratifikua nga kreu i komisionit të pavarur.
Në mes të krizës së thellë financiare dhe sportive, Sheffield Wednesday ka marrë një ofertë nga ish-pronari i Newcastle United, Mike Ashley, i cili raportohet se ka paraqitur një propozim prej rreth 20 milionë paundësh për blerjen e klubit. Administrata e klubit ka konfirmuar gjithashtu se dy konsorciume amerikane kanë bërë oferta serioze dhe janë konsideruar kandidatë të besueshëm për marrjen e klubit.
Një nga ofertat e paraqitura ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi raportohet se përfshin idenë e bashkimit të Sheffield Wednesday dhe Sheffield United – një skenar që do të zemëronte jashtëzakonisht tifozët për shkak të rivalitetit historik midis dy klubeve të qytetit.
Me -10 pikë dhe një të ardhme të pasigurt financiare, Sheffield Wednesday përballet me një situatë të pashpresë dhe duket e destinuar për rënien në League One nëse kriza nuk zgjidhet shpejt.
Top Channel