Postoi videon ku shfaqej ushtari i Japonisë imperialiste, klubi i Premier League i kërkon falje publike shtetit të Kinës

28/11/2025 21:20

Brighton & Hove Albion ka kërkuar falje publike ndaj Kinës pasi një postim në rrjetet sociale shkaktoi polemika të forta dhe u përshkrua si një “krizë e madhe PR”.

Çështja shpërtheu pasi një foto e një lojtari të akademisë së klubit së bashku me Kaoru Mitoma-n u bë virale. Në imazh, ata mbanin karta me figurën e një anëtari të ushtrisë imperialiste japoneze – që besohet të jetë e lidhur me Lieutenant Hiroo Onoda, i cili shërbeu në ushtrinë japoneze nga vitet 1942 deri në 1974.

Onoda ishte deklaruar i vdekur në vitin 1959, por vazhdoi të fshihej për vite të tëra pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai vdiq në vitin 2014, në moshën 91-vjeçare.

Fotoja u shpërnda gjerësisht në platformën kineze Weibo nga një faqe me 10 milionë ndjekës, e cila është burim kryesor për fansat e Premier League në Kinë. Duke qenë se ushtria imperialiste japoneze është përgjegjëse për krime të shumta në Kinë gjatë luftës, postimi shkaktoi reagime të forta dhe kritika masive.

Situata u përshkrua si një “krizë e madhe imazhi”, duke detyruar Brighton-in të reagojë zyrtarisht.

Klubi publikoi një deklaratë në X, ku theksoi se e vlerëson jashtëzakonisht shumë publikun e tij kinez dhe se imazhi nuk ishte menduar të shkaktonte ofendim.

“Klubi kërkon sinqerisht falje për çdo ofendim të shkaktuar në Kinë nga një postim i fundit lidhur me pjesëmarrjen e Akademisë sonë në Christmas Truce Cup. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen e tifozëve tanë në Kinë dhe nuk kishim asnjë qëllim për të shkaktuar ndonjë fyerje.”

Kjo nuk është hera e parë që Brighton përfshihet në një situatë të ndërlikuar ndërkombëtare. Në korrik, klubi u kritikua pasi njoftoi huazimin e futbollistit korean Shin Seong-do-young në gjuhën japoneze në vend të asaj koreane, duke shkaktuar reagime të tjera negative në Azi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta