Krisjet te Reali i Madridit/ Zbulohen kërkesat e Vinicius për të rinovuar, kërkon të njëjtën kontratë si ajo e Cristiano Ronaldos

26/11/2025 16:27

Vinicius Jr ka kërkuar një pagë në nivelin e kontratës së fundit që Cristiano Ronaldo kishte te Real Madrid, sipas raportimeve të fundit.

Kontrata aktuale e brazilianit skadon në verën e vitit 2027, ndërsa drejtuesit madrilenë nisën bisedimet për rinovim gjatë gjysmës së dytë të sezonit të kaluar, me synimin për të mbajtur nën kontratë nënkampionin e Topit të Artë.

Real Madrid i ofroi 25-vjeçarit 17.5 milionë paund në vit, një rritje krahasuar me 15.8 milionë paund që përfiton aktualisht pas taksave. Pasi oferta u refuzua, përfaqësuesit e Vinicius kërkuan 26 milionë paund në vit, shifër që afrohet me kontratën më të majme në historinë e klubit, atë të Cristiano Ronaldos.

Pas kësaj, bisedimet u pezulluan, ndërsa situata u komplikua edhe nga marrëdhënia e tensionuar mes lojtarit dhe trajnerit Xabi Alonso. Sipas mediave, Vinicius nuk ka ndërmend të firmosë kontratë të re për sa kohë Alonso mbetet në krye të ekipit.

Tensioni u vu re edhe gjatë fitores 2-1 ndaj Barcelonës në El Clasico, ku Vinicius reagoi me zemërim kur u zëvendësua, përpara se të kërkonte ndjesë pas ndeshjes, pa përmendur trajnerin në deklaratën e tij.

Pavarësisht kësaj, Alonso e minimizoi incidentin dhe madje i besoi shiritin e kapitenit brazilianit në një ndeshje europiane. Ndërkohë, emri i Vinicius vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, me Al-Ahli si destinacion të përfolur dhe një ofertë që mund të arrijë në 302 milionë paund, duke thyer çdo rekord transferimi në historinë e futbollit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta