Ish-talenti i Chelsea-t, Yann Gueho, po lufton për shërim në kujdes intensiv pasi u plagos rëndë gjatë një sulmi me thikë në Choisy-le-Roi, në juglindje të Parisit, më 9-10 nëntor.

Sipas The Athletic, 31-vjeçari ndodhej me një mik kur u sulmua, duke pësuar lëndime të rënda që çuan menjëherë në transportimin e tij drejt spitalit, ku vazhdon të mbahet nën kujdes të specializuar.

Prokuroria publike e Créteil konfirmoi se një burrë është vënë nën akuzë për tentativë vrasjeje dhe dhunë në grup, ndërsa një grua është gjithashtu e akuzuar për dhunë në grup dhe është vendosur nën statusin e “asistimit si dëshmitare” për akuzën e tentativës së vrasjes. Hetimet zyrtare nisën më 12 nëntor.

Gueho, i konsideruar dikur një talent i jashtëzakonshëm, ishte pjesë e akademisë së Chelsea-t nga viti 2009 deri në 2011, përpara se të kalonte te Lille dhe Nantes. Megjithatë, ai nuk arriti të debutonte në nivel profesionist dhe u tërhoq herët nga futbolli në vitin 2016.

Familja ka bërë të ditur se Gueho po trajtohej me një terapi shumë të rëndë mjekësore, gjë që e kishte bërë fizikisht të brishtë. “Po kalojmë ditë jashtëzakonisht të vështira,” tha nëna e tij, Anne-Marie. “Yann kishte pranuar një trajtim të rëndë për gjendjen e tij. Kjo e dobësoi shumë dhe e bëri të cenueshëm. Sot, ne i besojmë drejtësisë për të sqaruar si mund të ketë ndodhur një tragjedi e tillë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që duhet.”

Në të kaluarën, Gueho është cilësuar si një nga talentet më premtuese në futbollin francez. Ish-kapiteni i Marseille, Valentin Rogier, e përshkruante në vitin 2022 si “lojtarin më të jashtëzakonshëm që kishte parë ndonjëherë në moshë të re”, ndërsa Damien Dussaut thoshte se potenciali i tij ishte i krahasueshëm, madje më i madh, se ai i disa prej yjeve aktualë të futbollit francez.

Gjendja shëndetësore e Gueho-s mbetet e rëndë, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur sulmin.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta