Broshura kundër “stereotipeve” për gjinitë në shkollat publike. Denoncojnë prindërit në Tiranë, psikologia: Nuk u bë nëpër klasa

25/11/2025 19:32

Debati i barazisë gjinore ka përfshirë edhe institucionet arsimore.

Shërbimi psiko-social në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë ka shpërndarë një material informues në lidhje me luftimin e stereotipeve, gjë e cila ka shqetësuar prindërit, që një pjesë e tyre mendon se po deformon konceptin e gjinisë.

“Po fillojmë t’iu mësojmë fëmijëve që femrat mund të duken si burra dhe burrat si femra. Nëse ne lëvizim diskutimin e gjinisë nga biologjia, pra po hoqëm këtë që është bazë shkencore, konteksti social pas 50 vitesh mund të jetë ndryshe nga sot. Çdo të thotë që do ndryshojmë prapë konceptin e gjinisë?!”, shprehet një nga prindërit.

Ankesave së familjarëve se u është kërkuar që fëmijëve t’iu shpjegohet se gjinia nuk ka të bëjë me dallimet biologjike midis gjinive, por si një konstrukt social, solli edhe përgjigjen e shkollës pas interesimit të Top Channel.

Psikologia e shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Irma Koçi, tregon se ka qenë punonjësja sociale e cila ka përgatitur këshilla për prindërit për të rritur fëmijë në mënyrë të barabartë dhe se ky manual nuk është trajtuar në klasa me nxënësit: “Ka qarkulluar thjesht një broshurë që ka në titull barazinë gjinore, por jo në këtë kontekst.

Shiko, duhet marrë në konsideratë faktin që niveli kulturor, arsimor e social i prindërve është i ndryshëm. Por nuk besoj se ka vend për keqinterpretime. Këto janë tema të planifikuara në planin vjetor që kemi dhe nuk është ky qëllimi që kemi; absolutisht nuk ka lidhje me orientimin seksual apo edukimin seksual. Aq më tepër që ne jemi cikël 9-vjeçar, fëmijët janë të vegjël e duhet të jemi shumë të kujdesshëm.”

Ligji i barazisë gjinore që u votua në Parlament ende nuk ka hyrë në fuqi, por përkufizon gjininë si role të ndërtuara në kontekstin social dhe detyron institucionet arsimore të përfshijnë edukimin gjinor në tekste si dhe në mësimdhënie. Por duket se deri sa të botohet në fletore zyrtare, mësuesve u është kërkuar të fshijnë materialin e barazisë gjinore të shpërndarë në grupet e WhatsApp për prindërit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta