Video/ Çudira nga Premier League, futbollisti i Evertonit merr karton të kuq pasi goditi shokun e vetë të skuadrës

24/11/2025 21:58

Everton përjetoi një moment të pazakontë në Old Trafford, teksa Idrissa Gueye u ndëshkua me karton të kuq pasi goditi shokun e tij të skuadrës, Michael Keane, gjatë ndeshjes ndaj Manchester United.

Incidenti ndodhi në minutën e 13-të, pasi Bruno Fernandes gjuajti pak jashtë portës. Gueye u pa duke debatuar ashpër me Keane, situata eskaloi me përplasje kokë më kokë dhe më pas mesfushori 36-vjeçar i dha një shuplakë mbrojtësit anglez. Arbitri Tony Harrington nuk hezitoi dhe e përjashtoi direkt.

Gueye reagoi edhe më ashpër pas kartonit të kuq, duke u larguar me vështirësi ndërsa Jordan Pickford tentonte ta qetësonte.

Kliko këtu për videon.

Gary Neville, komentator në Sky Sports, kritikoi vendimin duke e quajtur kontaktin “minimal” dhe sugjeroi se një karton i verdhë do të kishte qenë i mjaftueshëm.

Mesfushori senegalez tani rrezikon një pezullim 3-ndeshor, duke humbur sfidat ndaj Newcastle, Bournemouth dhe Nottingham Forest, përpara se t’i bashkohet Senegalit për Kupën e Kombeve të Afrikës.

Për Everton, ndeshja nisi keq edhe më herët pasi kapiteni Seamus Coleman u detyrua të largohej me dëmtim pas vetëm 10 minutash.

Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Everton arriti të befasojë tifozët në minutën e 30-të, kur Kiernan Dewsbury-Hall realizoi një gol të mrekullueshëm me këmbën e tij të dobët.

Gueye nuk është lojtari i parë që përjashtohet për sherr me një shok skuadre. Raste të famshme përfshijnë përplasjen e Lee Bowyer dhe Kieron Dyer në vitin 2005, si dhe Ricardo Fuller, i cili u përjashtua pasi goditi shokun e tij Andy Griffin në vitin 2008.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta