Fitore e pjesshme e Felipe Massa, pranohet padia e tij kundër FIA dhe F1, por vetëm për dëmshpërblimin financiar
Lando Norris siguroi pole-position në kualifikueset e Çmimit të Madh të Las Vegasit, një sesion i ndërprerë disa herë për shkak të shiut të dendur në fazat e para.
Pista e lagësht solli gabime të shumta që në Q1, ku viktimat e para u bënë Andrea Kimi Antonelli dhe Lewis Hamilton, të cilët do të nisin respektivisht nga rreshti i parafundit dhe i fundit.
Piloti britanik i McLaren regjistroi kohën 1:47.934, duke siguruar pole-in e tretë radhazi dhe të gjashtëmbëdhjetin në karrierë. Përkrah tij në start do të jetë Max Verstappen, i cili mbeti 323 mijëtat prapa.
Carlos Sainz dhe George Russell plotësojnë rreshtin e dytë. Russell, fituesi i garës së vitit 2024, ishte nën hetim për një rikthim të pasigurt në pistë gjatë Q1, por iu hoq çdo penalizim pas dëshmisë së pilotit të Aston Martin. Edhe Mercedes u hetua për mungesë dokumentacioni teknik para seancës, por ekipi u lirua nga drejtuesit e garës.
Oscar Piastri do të nisë nga rreshti i tretë, një sekondë e plotë pas shokut të skuadrës Norris, ndërsa përkrah tij do të jetë Liam Lawson nga Racing Bulls. Më pas vijnë Fernando Alonso dhe Isaac Hadjar.
Charles Leclerc nuk shkoi më tej se rreshti i pestë me Ferrarin e tij, duke mbetur gati dy sekonda prapa. Ai do të ketë përkrah Pierre Gaslyn në Alpine.
Rreshti i nëntë përbëhet nga Andrea Kimi Antonelli dhe Gabriel Bortoleto në Sauber.
Rreshti i fundit i takon Yuki Tsunodës (Red Bull) dhe Lewis Hamilton, i cili me Ferrarin e tij u mashtrua nga dritat paralajmëruese në fazat e fundit të Q1, duke menduar se sesioni ishte ndërprerë. Gabimi i kushtoi rëndë, duke e çuar në një prej pozicioneve më të ulëta të karrierës së tij në kushte normale kualifikimesh.
Gara në Las Vegas pritet të jetë një tjetër duel i fortë mes Norris, Verstappen dhe ndjekësve të tyre, në një fundjavë që deri tani ka sjellë surpriza të mëdha.
Gara do të jetë të dielën në orën 05:00 të mëngjesit dhe do të keni mundësinë ta ndiqni drejtpërsëdrejti në DigitAlb.
Top Channel