‘Tension’ në Europë/ Polonia ngre avionët luftarakë ndërsa Rusia nis sulm masiv me raketa e dronë ndaj Ukrainës

19/11/2025 08:46

Polonia ka dërguar avionë luftarakë në hapësirën e saj ajrore dhe ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte të enjten, pasi Rusia kreu sulme me raketa dhe dronë në pjesë të shumta të Ukrainës.

Sulmi rus ishte i përqendruar kryesisht në pjesët perëndimore të Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, ndërsa dhjetëra persona u plagosën në qytetin lindor të Kharkivit, ku dronët shkatërruan ndërtesa banimi dhe shkaktuan zjarr në disa makina. Shumë rajone të Ukrainës mbetën pa energji elektrike për shkak të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Për shkak të kërcënimit në perëndim të vendit, Polonia dërgoi avionë luftarakë dhe aeroplanë paralajmërimi për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.

“Çifte avionësh luftarakë të reagimit të shpejtë dhe një aeroplan paralajmërues janë ngritur në fluturim,” tha Komanda operacionale polake, duke shtuar se sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët janë në gjendje të gatishmërisë më të lartë. Aeroportet Rzeszow dhe Lublin u mbyllën përkohësisht për të siguruar lirinë e operimit të aviacionit ushtarak, por më pas u hapën sërish.

Ky sulm ndodhi pak orë pas mbërritjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi, ku ai u takua me homologun Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar rifillimin e bisedimeve për paqen dhe shkëmbimin e ushtarëve të marrë peng. Rusia nuk është pjesë e këtyre bisedimeve, ndërsa Turqia ka luajtur rol ndërmjetësues.

Aleatët e NATO-s kanë intensifikuar fluturimet e avionëve luftarakë muajt e fundit për të ndaluar sulmet ruse apo armët që kanë kaluar kufijtë e tyre. Polonia ka qëndruar veçanërisht vigjilente për shkak të luftës ruse në Ukrainë. Në shtator, avionët polakë shkatërruan disa dronë rusë që kishin depërtuar në hapësirën ajrore të vendit, në një incident që NATO e quajti “shumë të rrezikshëm.” Ky ishte hera e parë që NATO-ja qëlloi ndaj objektivave gjatë luftës në Ukrainë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta