Senati në SHBA voton me unanimitet ligjin për hapjen e dosjes së Epstein, dokumenti shkon në tryezën e Trump për t’u firmosur

19/11/2025 00:20

Senati ra unanimisht dakord të miratojë projektligjin e mbështetur nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë dosjet e çështjes Epstein, sapo të mbërrijë nga Dhoma.

Meqenëse projektligji u miratua me konsensus unanim, Senatit nuk do t’i duhet të ndërmarrë asnjë veprim tjetër, dhe dokumenti do t’i dërgohet presidentit për nënshkrim sapo të arrijë në Senat.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mbërrinte projektligji në Senat.

Zakonisht duhet pak kohë — ndonjëherë disa orë — për të kaluar ligjin nga një dhomë në tjetrën. Dhe Kryetari i Dhomës, Mike Johnson, nëse vendos, mund ta ngadalësojë dërgimin e projektligjit deri në javën e parë të dhjetorit.

Lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer, e paraqiti kërkesën në sallë, dhe meqenëse asnjë senator nuk kundërshtoi, projektligji u miratua pa qenë e nevojshme një votim me apel emrash.

“Senati tashmë e ka miratuar projektligjin për Epstein — sapo të kalojë nga Dhoma,” njoftoi Schumer.

Shpejtësia me të cilën projektligji u shty përpara në të dyja dhomat e Kongresit të martën shënoi një kthesë të fortë krahasuar me muajt e fundit, kur Trump dhe drejtuesit republikanë punuan me këmbëngulje për ta bllokuar. Por në fund Trump vendosi t’i lejonte partisë së tij ta mbështeste masën, teksa presioni brenda republikanëve u rrit.

Trump më herët kishte thënë se do ta nënshkruante projektligjin nëse ai do t’i vinte në tryezë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta