Punonjësi i FBI-së pushohet nga puna sepse solli flamurin LGBTQ+ në zyrë
Ish-Sekretari i Thesarit të SHBA-së dhe ish-presidenti i Harvardit, Larry Summers, ka dhënë dorëheqjen nga bordi i OpenAI.
Ai dha dorëheqjen vetëm pak ditë pasi Kongresi publikoi dokumente që zbulojnë komunikime të vazhdueshme mes tij dhe Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Vendimi i Summers u konfirmua këtë të mërkurë, ndërsa ai vetë njoftoi më herët se do të tërhiqej nga të gjitha angazhimet publike për të rindërtuar besimin dhe për të rifituar marrëdhëniet me njerëzit më të afërt.
Kompania OpenAI reagoi menjëherë duke deklaruar se e respekton vendimin e tij dhe vlerësoi kontributin e Summers që prej bashkimit në bord në fund të vitit 2023, pas krizës së shkurtër me shkarkimin e CEO-së Sam Altman.
Dokumentet e publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve kanë sjellë kritika të shumta ndaj Summers. Ndërkohë, Universiteti i Harvardit, ku ai është profesor ka njoftuar hapjen e një hetimi të ri për personat e përfshirë në korrespondencën e Epstein, pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë emra.
Në arenën politike, Presidenti Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë të hetojë lidhjet e Summers dhe disa demokratëve të tjerë me Epstein, ndërsa është përpjekur të minimizojë kritikat për marrëdhëniet e veta me abuzuesin e dënuar.
Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se çështja mbetet një pikë e dobët për Trump, ku vetëm 38% e amerikanëve miratojnë performancën e tij, ndërsa vetëm 20% mendojnë se ai e ka menaxhuar si duhet këtë skandal.
Kjo valë pasojash i ka shtyrë disa institucione të tjera të distancohen nga Summers. Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare dhe Qendra për Progresin Amerikan kanë konfirmuar se ai po tërhiqet nga rolet e tij, ndërsa “The New York Times” njoftoi se nuk do të rinovojë kontratën e tij si kontribues.
Përveç OpenAI, Summers ka mbajtur pozicione të rëndësishme edhe në kompani si Skillsoft dhe Santander, ku ka udhëhequr bordin këshillues ndërkombëtar të bankës.
Top Channel