Mbështetja për presidentin amerikan, Donald Trump ka rënë në 38 për qind, niveli më i ulët ky që nga janari, kur republikani u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.

Një sondazh i Ipsos-it për Reuters tregon se pakënaqësia më e madhe e amerikanëve ndaj tij në këtë moment lidhet me mënyrën si po e trajton krizën e kostos së lartë të jetesës dhe çështjen e Jeffrey Epstein. Anketimi vjen në një kohë kur ndikimi Trumpit në Partinë Republikane po tregon shenja dobësimi, sipas medias së njohur.

Të dyja dhomat e Kongresit ranë dakord të urdhërojnë departamentin e drejtësisë të SHBA-së të publikojë dosjet e tij mbi të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi me shumicë dërrmuese masën me një votim 427-1 dhe Senati e përshpejtoi atë unanimisht pa një votim formal.

Lëvizjet erdhën vetëm pak pasi Trump ndryshoi qëndrimin e tij dhe i kërkoi Kongresit të votojë për të zbuluar të dhënat pas kundërshtimit publik që erdhi edhe nga shumë prej mbështetësve të tij. Javën e kaluar, Trump dhe lidhjet e tij me Epstein u rikthyen në titujt kryesorë të lajmeve në vazhdën e publikimit të më shumë se 20,000 faqe dokumentesh – disa prej të cilave përmendnin presidentin. Shtëpia e Bardhë mohoi çdo shkelje. Sondazhi i kryer online tregoi se mbështetja për Trumpin ka rënë me dy për qind krahasuar me sondazhin e fillimit të nëntorit.

Popullariteti i 79-vjeçarit tani është pranë nivelit më të ulët sesa gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe afër vlerësimit më të dobët të paraardhësit të tij demokrat, Joe Biden, që ishte 35 për qind.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta