Takimi me princin e Arabisë Saudite, Trump shmang pyetjen për vrasjen e Khashoggit: Ishte shumë kontrovers, mos e turpëroni mysafirin
Pas muajsh kërkimesh intensive, autoritetet austriake kanë zbuluar trupat e pajetë të një gruaje 34-vjeçare me origjinë siriane dhe vajzës së saj 10-vjeçare, të zhdukura që nga korriku 2024 pas një udhëtimi në Dyseldorf.
Trupat u gjetën të fshehura në një frigorifer të madh, të vendosur në një hapësirë të izoluar të një dhome magazinimi në një apartament në Innsbruck, Tirol.
Zbulimi e ka përforcuar pistën kryesore të hetimit, e cila prej fillimit ishte përqendruar te dy vëllezër austriakë: njëri prej tyre, 55 vjeç, ishte koleg i gruas dhe dyshohet se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me të. Të dy burrat u arrestuan në qershor dhe qëndrojnë ende në paraburgim.
Frigoriferi ku u gjetën trupat ishte vendosur në një cep të fshehur të dollapit, në një zonë jashtëzakonisht të vështirë për t’u arritur. Ky pozicionim e kishte bërë të pamundur zbulimin e tij në fazat e para të kërkimit.
Sipas autoriteteve, identifikimi i pajisjes u bë i mundur falë analizave të reja teknike dhe rindërtimit të lëvizjeve të dyshuara të dy vëllezërve. Vendndodhja e frigoriferit sugjeron se qëllimi ishte që trupat të mos gjendeshin për një kohë sa më të gjatë.
Gruaja dhe vajza e saj rezultuan të zhdukura në korrik 2024, pasi nuk u kthyen nga udhëtimi në Dyseldorf. Hetuesit u alarmuan kur panë mungesën totale të komunikimit dhe transaksione të pazakonta në llogarinë bankare të 34-vjeçares.
Dyshimet fillimisht ranë mbi kolegun e gruas, për shkak të mospërputhjeve në deklarimet e tij dhe sjelljes së çuditshme menjëherë pas zhdukjes. Më vonë, vëllai i tij – pronari i apartamentit ku u gjetën trupat – u përfshi si i dyshuar për ndihmë në fshehjen e provave.
Gjatë marrjes në pyetje, të dy burrat kanë pranuar se i kanë fshehur trupat, por mohojnë kategorikisht se i kanë vrarë. Ata kanë deklaruar se gruaja dhe vajza kanë vdekur “aksidentalisht”, pa dhënë deri më tani një shpjegim të detajuar. Versioni i tyre është duke u verifikuar nga hetuesit.
Megjithatë, gjendja e trupave, të cilët kanë qëndruar me muaj në frigorifer, e vështirëson jashtëzakonisht përcaktimin e shkakut të vdekjes. Ekspertët mjeko-ligjorë po kërkojnë shenja dhune ose elemente të tjera që mund të tregojnë vrasje, por asnjë pistë zyrtare nuk është përjashtuar.
Autoritetet austriake po presin rezultatet përfundimtare nga ekzaminimet mjeko-ligjore, ndërsa hetimi vazhdon nën masat më të rrepta të sekretit.
Top Channel