Gjenden dy duar të prera të një gruaje në mes të autostradës, pak kilometra më tej edhe foshnja e saj në një karrocë

18/11/2025 18:00

Dy duar të prera janë gjetur në një autostradë në Gjermani, të cilat i përkasin një gruaje të re, ndërsa disa kilometra më larg, pranë një manastiri është gjetur një karrocë me një foshnjë brenda saj.

Ngjarja e rëndë është shënuar në North Rhine-Westphalia, ndërsa foshnja është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, e lënë jashtë derës së manastirit në Kröffelbach, Hesse.

Duart e prera janë parë nga një shofer, i cili më pas ka njoftuar policinë. Ende nuk dihet nëse gruaja është gjallë, ndërsa kërkimet për të vijojnë.

Nga shenjat e gishtave rezulton se ajo është një nënë e re, e foshnjës së gjetur jashtë manastirit, me origjinë nga Afrika, dhe që jetonte në një kamp azilantësh.

Policia ka përjashtuar mundësinë e një aksidenti, pasi duket se duart janë prerë qëllimisht. Po ashtu kanë nisur kërkimet për gjetjen e partnerit të saj dhe babait të fëmijës, por pa lëshuar një urdhër ndalimi për të.

Situata mbetet ende mister, pasi nuk është gjetur asnjë shenjë nga gruaja.

 

Top Channel